Thaçi fton në takim Kurtin
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka ftuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të pranuar dekretin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Zyra për Informim e Presidencës konfirmoi se ftesa vlen për ditën e sotme. Sipas njoftimit për media, Thaçi e ka ftuar Kurtin në ora 12:00 në presidencë.
“Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas pranimit të propozimit të mandatarit për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka ftuar të propozuarin Albin Kurti për ta pranuar dekretin sot më 20 janar 2020, në orën 12:00”, thuhet në njoftim.
Ndërsa nga Zyra për Media e Lëvizjes Vetëvendosje ka deklarua se ende nuk e kanë pranuar një ftesë të tillë, njofton KP.
Nga kjo zyre nuk thanë nëse Kurti do të shkojë në presidencë, por nuk e kanë mohuar një takim të tillë.
Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi sot në mënyrë të shkruar emrin e Albin Kurtit për mandatar për kryeministër.























