VIDEO- Hamiti kujton miqësinë dhe bashkëpunimin me Rugovën
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTK-në nga shtëpia e Presidentit Ibrahim Rugova, akademik Sabri Hamiti, bashkëveprimtar dhe njohës i mirë i veprës, ka folur për punën dhe veprimtarinë politike dhe shkencore të Rugovës në 14-vjetorin e vdekjes së tij.
Akademik Hamiti ka pranuar se ka nostalgji saherë që hyn në shtëpinë e Presidentit Rugova.
“Këtë shtëpi e konsideroj si shtëpi të dytë. Patjetër që mungesa e Rugovës është e madhe, kujtimet palohen dhe janë të llojllojshme. Një jetë me të si mik edhe si bashkautor edhe si bashkëpunëtor në fusha të kulturës, në fillim të letërsisë e mandej edhe të lëvizjeve politike”, ka thënë Hamiti.
Ai ka treguar se si dhoma e intimitetit familjar në këtë shtëpi ishte shndërruar gradualisht në vend ku ka pasur takime të mëdha politike dhe diplomatike.
Hamiti ka kujtuar që bashkëpunimi dhe miqësia me Rugovën kishte filluar që nga viti 1968, në lëvizjen studentore, për të vazhduar për 20 vjetët e tjera në fushë të kulturës, studimeve dhe letërsisë.
Për kalimin e Rugovës nga letërsia e kultura në politikë, Hamiti ka thënë se kjo nuk ishte zgjedhje e vetë Rugovës, por i ishte imponuar, pasi dy vjet para se të formohej LDK-ja, Rugova si kryetar i Shkrimtarëve tashmë ishte bërë zë i artikuluar i kërkesave të shqiptarëve të Kosovës.
“Atëherë kur ai doli në ballë të artikulimit të vullnetit politik të shqiptarëve rrallëkush fliste qartë dhe ishte kohë e vështirë. Rugova ishte zëri që dëgjohej fuqishëm edhe jashtë”, kujton Hamiti.
Lidhur me pranueshmërinë e gjerë të Rugovës në popull, Hamiti rikujton se ai kishte me vete të gjithë brezat, profesionet e rajonet.
“Ai ka pasur me vete Idriz Ajetin, Anton Çettën, Mark Krasniqin, që kanë qenë profesorët tanë, brezin e vet, miq të ngushtë të shkollës dhe të punës dhe me të rinjtë që kanë qenë atëherë njëzetëvjeçarë. Pra, në shtyllat e mbështetjes së tij dhe të idesë së një Kosove të pavarur dhe demokratike dhe lirimit të saj kanë qenë tre breza në fillim. Prandaj, duhet të dihet dhe të kuptohet problemi pse gjithë ajo gjerësi e lëvizjes së tij dhe pse gjithë ai akceptim popullor i paparë ndonjëherë", ka thënë Hamiti.
Për më shumë ndiqni videon e plotë:























