Krerët e FFK-së pritën ambasadorin Qemal Minxhozi
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu, kanë pritur në takim pune sot në selinë e FFK-së ambasadorin e Shqipërisë në vendin tonë, Qemal Minxhozi.
Gjatë këtij takimi ambasadori Minxhozi përgëzoi krerët e FFK-së për sukseset e arritura deri më tash pas anëtarësimit në UEFA e FIFA dhe u shpreh i mahnitur me paraqitjet e Kombëtares së Kosovës, duke theksuar se është tifoz i Dardanëve dhe mburret me sukseset e tyre. Ambasadori shqiptar u interesua edhe për situatën në FFK, derisa u bisedua edhe për nismën e dy federatave për krijimin e Kupës Mbarëkombëtare, garë e cila vlerësohet se do të zgjonte interesim të madh tek dashamirët e futbollit dhe do të ndikonte në zhvillimin edhe më të hovshëm të futbollit në të dyja vendet. Të dyja palët shprehën interesim për të gjetur edhe forma të ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.























