Akuza e kundërakuza në Këshillin Shtetëror të Agjencisë së Akreditimit
Riakreditmi i disa programeve në kolegjet private ka ngjallur polemika në mes anëtarëve dhe drejtuesve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Akreditimit.
Valbona Tahiri, RTK
Përplasjet më të mëdha janë në mes të kryetarit të KSHC-së, Gazmend Lubotenit dhe tre anëtarëve të bordit të Agjencisë së Akreditimit, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi dhe Arta Jakupi-Basha.
Këta tre anëtarë pretendojnë se janë bërë shkelje ligjore, në mbledhjen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të mbajtur me 16 janar.
Anëtari, Dukagjin Zeka vë në dukje është shkelur udhëzimi administrativ 15/2018 për “Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë”, përkatësisht neni 11, pika 2 e tij ku thuhet se:
“Deri më 31 tetor dorëzohen aplikacionet dhe për të cilat garantohet akreditimit/ri-akreditimi për vitin e ardhshëm", tha ai për RTK.
E pretendimet e Zekës janë se aplikacionet për disa kolegje private kanë ardhur në Agjencinë e Akreditimit më 27 shtator të 2019, dhe eksperti është thirrur në formën më të përshpejtuar për vizitë më 30 tetor 2019, raporti për të cilat programe është finalizuar më 12 nëntor të viti të kaluar. E tërë kjo procedurë e përshpejtuar sipas anëtari Zeka është nguti e anëtarëve të tjerë për përfitime personale.
" Në pyetje e ngritur nga ne se në çfarë viti ju po i aprovoni vetëm katër ditë përpara, ka qenë zërat se do të jenë për 2019/2020, dhe detyrimisht për katër ditë me organizu vizita ka qenë e pamundshme, nëse ata thonë ndryshe tash është sepse e kanë pa ballafaqimin me ligjin edhe është e vështirë me thy atë rregull, nëse ata janë ngutë ka qenë në pyetje, pse duhet me u ngutë kur ka qenë mundësi me u fut të gjitha në një proces të unifikuar...”, tha ai.
Për këtë çështje RTK është munduar të ketë një deklaratë edhe nga kryetari i KSHC-së, Gazmend Luboteni, por përgjigja e tij ndaj neve ishte që t'i referohemi komunikatës për medie të publikuar në ueb faqen e Agjencisë së Akreditimit. E në këtë komunikate thuhet se:
“Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, raportet finale të ekspertëve ndërkombëtarë u janë dërguar të gjithë anëtarëve të KShC-së për mbledhjen e parë të rregullt, të përcaktuar dhe të aprovuar nga të gjithë anëtarët ndërkombëtarë. Është theksuar se raportet kanë kaluar nëpër një proces “të shpejtuar” të vlerësimit. Kjo nuk është e saktë, ato janë trajtuar në mbledhjen e rregullt të KShC-së të përcaktuar më parë. Për një program, për të cilin z.Zeka pretendon se nuk është miratuar në mënyrë të rregullt nga KShC-ja, nuk është votuar fare, por është shtyrë për mbledhjen e radhës, derisa të merret opinioni ligjor nga Ministria e Administratës Publike. Prandaj, pretendimi për shkelje është plotësisht i pabazë...”
Por se janë bërë shkelje ligjore dhe se ka pas ndërhyrje në këtë proces, në mbledhjen e parë të bordit të Agjencisë së Akreditimit për këtë vit, e vënë në dukje edhe monitoruesit e këtij procesi, që janë ORCA.
Rron Gjinovci nga ORCA tha se ka pas presione prej një ambasadori të caktuar të vendeve të Qunt-it në drejtim të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për akreditimin e programeve të një kolegji të caktuar privat dhe unë mendojë që kombinimi i presioneve dhe mundësisë që ka ndodhë korrupsion në kolegjet e tjera për me legjitimu presionin ka dërguar deri tek këto vendime që janë absurde disa prej tyre sipas të gjitha gjasave jo ligjore, mirëpo ne do të sigurohemi që njerëzit me dal para bankës së drejtësisë...”
Anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi, Arta Jakupi Basha dhe drejtuesit e organizatës monitoruese ORCA të këtyre proceseve, presin reagimin institucional shtetëror atë të Ministrisë së Arsimit, karshi gjithë situatës së krijuar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Akreditimit.























