Molliqaj e sheh nënshtrim kërkesën e Vetëvendosjes për ndërhyrjen e QUINT
Ish-anëtari i VV-së, si dhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka goditur partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, duke e quatur të nënshtruar karshi ndërkombëtare, të cilët sot kanë kërkuar ndërhyrjen e QUINT-it në ndërmjetësimin e koalicionit me LDK.
Molliqaj ka kritikuar Vetëvendosjen duke e quajtur të nënshtruar ndaj ndërkombëtarëve rreth kërkesës që kjo parti ka bërë ndërhyrjen e QUINT-it në ndërmjetësimin e koalicionit me LDK.
Ai ka thënë se Vetëvendosjen është parti u krijua dhe formësua në kritikën e saj ndaj ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në proceset e shtetndërtimit,
“Lëvizja Vetëvendosje u krijua dhe formësua në kritikën e saj ndaj ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në proceset e shtetndërtimit, të marrëveshjeve me Serbinë dhe të misioneve ndërkombëtare të sigurisë si UNMIK e EULEX” ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Postimi i plotë:
Vetënënshtrimi
Lëvizja Vetëvendosje u krijua dhe formësua në kritikën e saj ndaj ndërhyrjes së ndërkombëtarëve në proceset e shtetndërtimit, të marrëveshjeve me Serbinë dhe të misioneve ndërkombëtare të sigurisë si UNMIK e EULEX.
Por, VV dita ditës po transformohet në një parti tipike e Kosovës e cila përdor shantazhin, gënjeshtrën për premtime elektorale, ndryshimin e parimeve për çështje mbi të cilat i ka kritikuar gjatë historikut të saj dhe heshtjen përballë dy marrëveshjeve me Serbinë ku Kosova as nuk po përfaqësohet nga institucionet e saja.
Tani ajo po shkon edhe një hap më tutje. Pikërisht VV, e cila kritikonte thellësisht ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në krijimin e institucioneve të Kosovës pas zgjedhjeve demokratike apo përzgjedhjes së figurave shtetërore në mënyrë jo-demokratike, ajo po përfundon duke i ftuar ambasadorët e Quint-it në takim së bashku me partnerin e koalicionit. Vetëvendosje po shkel edhe parimin tek i cili është formuar e krijuar vetëm e vetëm që të arrijë të jetë në pushtet.
Duke hequr dorë nga parimet e qëndrimet, duke përdorur çdo metodë për të arritur në pushtet të cilën e ka kritikuar më herët, VV po shndërrohet në parti nga e cila shpresa e ndryshimi mund të pritet aq sa mund të pritet nga partitë që deri tani kanë qenë në pushtet.























