Tregtarët kundërshtojnë projektin për Tregun e Gjelbër
Shfrytëzuesit e lokaleve në Tregun e Gjelbër sot kanë protestuar para komunës së Prishtinës lidhur me projektin e tregut të ri.
Sipas tyre plani i ri për tregun i dëmton bizneset. Kryetari i Shoqatës së Zejtarëve të Prishtinës, Enver Pakashtica tha se lidhur me projektin e tregut të ri këta si zejtarë nuk janë njoftuar fare.
Derisa nuk e dinë se çka do të ndodh me fatin e tyre Pakashtica thotë se ditët në vijim presin të takohen me kryetarin e komunës së Prishtinës.
Madje ai thotë se lidhur më projektin janë njoftuar përmes mediave.
Edhe Lindita Leti e cila e ka një dyqan nusërie thotë se largimi nga ajo zonë ku ajo vepron do e dëmtojë shumë biznesin e saj.
Kundër këtij projekti është shprehur edhe zejtari Arben Pakashtica i cili planin e konsideroi të dëmshëm për zejtarët. Ai madje thotë se nëse do ishte një projekt tjetër dhe do merren mendimi i tyre ata do e përkrahnin komunën e Prishtinës edhe financiarisht.
Ditë më parë komuna e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur procedurat e prokurimit për Tregun e Ri i cili do jetë pjesë e integruar e zonës historike të qytetit. Procedurat e prokurimit do jenë të hapura deri më 10 shkurt.























