Në zonat e luftës ishin 400 qytetarë nga Kosova, 110 të riatdhesuar
Mbi 100 kosovarë, në prill të vitit të kaluar u riatdhesuan nga zona e konfliktit në Siri, shumica prej të cilëve gra e fëmijë.
Vendimi për kthimin e tyre, po shihet si i rrezikshëm, derisa për institucionet e vendit kjo paraqet një sfidë.
Në anën tjetër, vendi po punon pak për identifikimin e personave të radikalizuar, ani pse të njëjtit nuk kanë pasur mundësi t’i bashkohet vatrave të luftës.
Kështu u tha të mërkurën në publikimin e raportit "Zbërthimi i përgjigjes së Kosovës ndaj të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak", në kuadër të projektit "Analizimi i procesit të ri integrimit për luftëtarët e huaj të kthyer në komunitet", nga Qendra Kosova për Studime të Sigurisë.
Teuta Avdimetaj nga QKSS, tha se që nga viti 2012 shumë kosovarë iu bashkuan zonave të konfliktit, derisa shumë fëmijë kosovarë janë lindur atje.
Skënder Perteshi, hulumtues në QKSS, tha se në krahasim me vitin 2013, ku si prioritet ka qenë luftimi i ekstremizmit të dhunshëm, së fundmi prioritet është riintegrimi i këtyre personave që po bëhen pjesë e luftërave në Siri e Irak.
Perteshi tha se rikthimi i 110 qytetarëve në prill të vitit të kaluar në Kosovë, ishte sfidë për institucionet e Kosovës.
Përkundër investimeve të mëdha ai tha se ka nevojë për trajtime specifike, në veçanti për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Sipas Perteshit, shumë pak po punohet në identifikimin e personave të radikalizuar, të cilët i takojnë kësaj ideologjie, e që në fakt nuk kanë marrë pjesë ende në këto luftëra.
Behxhet Shala, i cili udhëheq Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, tha se ende ka shumë paragjykime ndaj këtyre personave, e që veprimet sipas tij janë marrë për pamje të jashtme.
Nga 110 kosovarë, të cilët arriti shteti i Kosovës në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, t’i kthejë në vend, në mesin e tyre janë 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në vatra të rrezikshme. Disa prej këtyre fëmijëve të kthyer nga Siria, janë edhe pa përkujdesje prindërore.























