KOK publikon rezultatet e kategorizimit të federatave të sportit për 2020
BKT
Sport

KOK publikon rezultatet e kategorizimit të federatave të sportit për 2020

Komiteti Olimpik i Kosovës gjatë ditës së sotme ka publikuar rezultatet e kategorizimit të federatave të sportit, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2020.

Në një konferencë për media presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani u shpreh se komisioni për kategorizimin e këtyre federatave ka punuar më shumë se një javë për një gjë të tillë.

Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj u shpreh se janë munduar që të bëjnë një punë të mirë duke kategorizuar federatat nëpër kategoritë të cilat ato i kanë merituar.

Sipas kategorizimit për vitin 2020, federatat sportive do të jenë të ndara në katër kategori, A, B, C, D.

Në kategorinë A ishin të përfshira, Federata e Xhudos me 86.40 pikë, Federata e Futbollit me 79.28 pikë, Federata e Karatesë me 78.46 pikë , Federata e Hendbollit me 76.05 pikë, Federata e Volejbollit me 74.59 pikë dhe Federata e Basketbollit e 73.55.

Në kategorinë B janë: Federata e Mundjes me 66.29 pikë, Federata e Boksit me 65.54 pikë, Federata e Atletikës me 64.28 pikë, Federata e Sportit Shkollor me 58.55 pikë, Federata e Pingpongut me 58.10 Federata e Notit me 57.99 dhe Federata e Tenisit me 50.00 pikë.

Në kategorinë C, bëjnë pjesë Federata e Çiklizmit me 40,10 pikë, Federata e Sportit Universitar me 39.04 pikë, Federata e Bodybuildingut me 38.91 pikë, Federata e Peshëngritjes me 35.96 pikë, Federata e Bowlingut e Kosovës me 35.42 pikë, Federata e Autosporteve me 34.79 pikë si dhe Federata Aeronautike e Kosovës me 30.77 pikë.

Ndërsa në kategorinë e fundit atë, D janë kategorizuar këto federata: Federata e Kickboxit e Kosovës me 28.23 pikë, Federata e Muaythait e Kosovës me 25.28 pikë, Federata e Bilardos e Kosovës me 22.65 pikë si dhe Federata Sportive e Punëtorëve me 20.28 pikë.

Në kategorizimin e sportistëve kryeson xhudistja Majlinda Kelemndi e pasuar nga tri xhudistet tjera, Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Nora Gjakova. Gjithashtu te trajnerët prinë trajneri i mirënjohur Driton Kuka me 212 pikë, ndërsa pas tij vijnë Besim Brahimi nga sporti i boksit dhe Shqipe Zogiani nga sporti i karatesë.

Kujtojmë që Federata e Golfit dhe Minigolfit nuk janë kategorizuar pasi nuk kanë plotësuar kriteret, ndërsa ajo e Bjeshkatërisë nuk ka aplikuar.