48 orë ndalim për aksident trafiku me fatalitet
BKT
Lajme

48 orë ndalim për aksident trafiku me fatalitet

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar të dyshuarin O.K., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale rrezikim i trafikut publik, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari O.K., më 29 janar 2020, rreth orës 20:10, në Gjilan, duke drejtuar automjetin e markës ‘’Chevrolet Trailblazer’’, ka shkaktuar vetaksident, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, me ç’rast si pasojë e goditjes lëndohet rëndë pasagjeri i tij, tani i ndjeri A.SH.

I ndjeri pasi merr ndihmën e parë, transferohet për në QKUK, në Prishtinë, me ç’rast gjatë transportit, nga drejtuesi i autoambulancës, në fshatin Bresalc shkaktohet vetaksident, ku lëndime trupore pësojnë drejtuesi i autoambulancës, mjeku, tekniku dhe i lënduari i cili po transferohej. Pas kësaj, të njëjtit transferohen me një autoambulancë tjetër, ndërsa rreth orës 23.00, i lënduari, tani i ndjeri A.SH., ndërron jetë në QKUK, në Prishtinë.

Në rastin e parë, ndaj drejtuesit që shkaktoi vetaksident në Gjilan, prokurori i rastit, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, në gjykatën kompetente në Gjilan, ndërsa rasti i dytë, në të cilin drejtuesi i autoambulancës shkaktoi vetaksident është duke u hetuar dhe është referuar në procedurë të rregullt.


MË SHUME NGA Lajme