Qeveri teknike, apo e pakices
Rrezarta Zekaj
Mos arritja e një marrëveshje mes liderëve politikë nga VV dhe LDK, sipas analistëve politikë, tregon mungesë të vullnetit politik të këtyre subjekteve.
Sipas tyre, qeveria e pakicës nuk është forma më e mirë, për shkak të jostabilitetit të saj zgjedhjet e menjëhershme nuk janë zgjidhje, përderisa në rast të dështimit të marrëveshjes, atëherë opsion mbetet një qeveri teknike deri në zgjedhje të reja.
Edhe pse subjektet politike VV e LDK kanë deklaruar se kanë harmonizuar programin qeverisës, ato nuk po arrijnë të pajtohen për ndarjen e pozitave qeverisëse. Artan Murati, njohës i çështjeve politike, i tha Radio Kosovës për nevojën e lëvizjes kundrejt pozicioneve të deritanishme të liderëve:
“Seancat për të arritur një marrëveshje unë konsideroj se ende janë të gjalla, nuk do të thotë se do të jetë e pamundur të arrihet marrëveshja, mirëpo nëse ka barikadim të tillë sikurse deri më tani do të jetë shumë problematike që kjo marrëveshje të arrihet deri të hënën kur në fakt është caktuar seanca e kuvendit e ku do të propozohet edhe kabineti qeveritar”, ka thënë Murati.
Murati thotë se ideja për një qeveri të pakicës, nuk është zgjidhja më e mirë për shkak të jo qëndrueshmërisë së saj. Ai thotë se më mirë do të ishte një qeveri teknike:
“Tash po përflitet ideja e votimit të qeverisë së pakicës diçka që është një koncept i njohur në disa shtete, mirëpo kemi parë që në Republikën e Kosovës një gjë e tillë nuk funksionon si duhet, sepse nuk është kultura politike në atë nivel sa për të çuar përpara proceset e mëdha pavarësisht pozicionit pozitë apo opozitë. Për ma tepër me qëndrimet e fundit të LDK-së nuk është as e sigurt se z. Kurti do të mund t’i siguronte votat madje as për një qeveri të pakicës pa një marrëveshjeje paraprake. Në anën tjetër konsideroj se duhet të shtjerrën të gjitha mjetet kushtetuese para se të mendohet për zgjedhje të reja. Ndoshta më mirë është të mendohet për një qeveri teknike, dhe më pas të shkohet në zgjedhje, ka shtuar Murati.
Ndërsa analisti Naim Rashiti tha për RTK-në se zgjidhja më e mirë do të ishte zgjerimi i qeverisë në 15 ose 16 ministri, duke i ndarë 2 ose 3 ministri më shumë LDK-së, në kompensim të kryeparlamentarit si dhe LDK të fitojë të drejtën të nominojë kandidatin për president. Po gjithsesi në rast të dështimit, sipas tij, do të duhej qeveri teknike:
“Më e rëndësishme është që në rast se ndodh dështimi si të gjenden modalitetet që të kemi një qeveri dhe të mos shkojmë drejt e në zgjedhje, do të ishte fatale nëse ndodh kështu. Prandaj mbetet përgjegjësi shumë e madhe e koncentruar mbi presidentin të kërkojë një shumicë të re parlamentare brenda 10 ditëve apo të gjendet një modalitet për krijimin e një qeveri të përkohshme. Nëse nuk ka një shumcë të re parlamentare, subjektet do të duhej të pajtoheshin për një qeveri teknike për shkak të kohës, të emëruar në një nivel më të ulët deri në tetorin e ardhshëm, ku do të mbaheshin zgjedhjet e reja, ka thënë Rashiti.
E tashmë liderët Kurti e Mustafa, tashmë përpara kanë vetëm edhe tri ditë për një marrëveshje të mundshme.























