16:38 / 01.02.2020
Marotta e Tare duel në distancë për Giroud
Me merkaton e janarit tashmë të mbyllur, drejtuesit e klubeve kanë nisur punën që tani për merkaton e verës.
Në fakt sytë janë kthyer nga ata lojtarë që me përfundimin e këtij sezoni do të jenë të lirë, pasi u përfundon kontrata me klubin aktual.
Njëri prej emrave më të përmendur gjatë gjithë muajit janar është ai i Olivier Giroud. Sulmuesi i Chelseat ishte shumë pranë kalimit në Seria A, fillimisht te Interi e më pas Lazio u fut në garë për shërbimet e tij, por “Blutë e Londrës” refuzuan çdo ofertë.
Francezit i mbaron kontrata në qershor ndaj dhe Marotta e Tare tashmë kanë nisur një duel në distancë për të bindur ish-lojtarin e Arsenal të transferohet në Milano apo në Romë, sigurisht tashmë si një lojtar me kosto zero.























