Molliqaj: Kurti po e bën kurban Konjufcën vetëm të arrijë në pushtet
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, marrëveshjen për bashkë-qeverisje mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike e ka quajtur “Ujdi monarkësh”.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, marrëveshjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës e quan “ujdi monarkësh”.
Molliqaj me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Albin Kurtit në letrën të cilën ia kishte dërguar Isa Mustafës para disa dite kishte deklaruar se “ujdi monarkësh” e “ogur fatkeq” është largimi i Konjufcës nga Kryetari i Kuvendit.
“Pikërisht këto fjalë sot, sipas raportimeve në media, i gëlltiti Kurti teksa arrin marrëveshje me Mustafën. Ai po sillet si monark, me fjalë të veta, po delegjitimon institucionet demokratike me ujdinë e tij monarkiste dhe po bën kurban Konjufcën me të vetmin qëllim që të vij në pushtet”, ka shkruar Molliqaj.
Ja postimi i plotë i Dardan Molliqajt:
Ujdi monarkësh
Kurti, në letrën dërguar Mustafës 10 ditë më parë, e quajti “ujdi monarkësh” e “ogur fatkeq” largimin e Konjufcës nga Kryetari i Kuvendit.
Pikërisht këto fjalë sot, sipas raportimeve në media, i gëlltiti Kurti teksa arrinë marrëveshje me Mustafën. Ai po sillet si monark, me fjalë të veta, po delegjitimon institucionet demokratike me ujdinë e tij monarkiste dhe po bën kurban Konjufcën me të vetmin qëllim që të vij në pushtet.
Popullistët që vijnë në qeveri kanë një të përbashkët me elitat politike që i kritikojnë për korrupsion dhe marrëveshje të dëmshme. Në fund, ata arrijnë marrëveshje të njëjta si paraardhësit e tyre e gjithmonë arsyetohen me qëllimin e tyre dashamirë. Popullistët duke thënë për të mirën e popullit e elitat politike për të mirën e shtetit.
Popullistët si Kurti me elitat politike si paraardhësit e tij në pushtet nuk kanë dallim në qëllimet e tyre. Këta, teksa i ndryshojnë fjalët për më pak se 10 ditë, nuk sjellin ndryshim por vetëm stagnim.























