Kulla e Jasharëve në gjendje jo të mirë, edhe pse janë ndarë miliona euro
BKT
Lajme

Kulla e Jasharëve në gjendje jo të mirë, edhe pse janë ndarë miliona euro

Arbenita Marmullaku

Kulla e Jasharajve në Prekaz nuk është në gjendje të mirë, edhe pse Qeveria e Kosovës ka ndarë miliona euro për mirëmbajtjen dhe restaurimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”.

Këtë e konfirmon edhe Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, zyrtarë të cilës i kanë thënë Radio Kosovës se e gjithë kjo vjen si pasojë e mungesës së një projekti të arsyeshëm. Burime të Radio Kosovës thonë se projekti i hartuar nga një kompani sllovene për restaurimin e këtyre kullave, nuk i ka pëlqyer as familjes Jashari.

Në infrastrukturën ekzistuese në Kompleksin “Adem Jashari”, që nga pas lufta janë investuar mbi 10 milionë euro nga ana e Qeverisë së Kosovës. Kurse që nga viti 2013, kur është themeluar edhe Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, qeveria për çdo vit ka ndarë nga 1 milion euro për këtë kompleks, duke llogaritur edhe restaurimin e Kullave të Rezistencës. Drejtori i kësaj agjencie, Bislim Zogaj, ka thënë se në mungesë të një projekti të arsyeshëm kullat kanë mbetur pa u restauruar.

 “Asnjëherë nuk kanë munguar mjetet për konservimin e shtëpive të rezistencës, por konservimi i tyre nuk është bërë për shkak të projektit, që është llogaritur të jetë një projekt më i arsyeshëm apo më i dinjitetshëm.”

Sipas Zogajt, një projekt i hartuar në vitin 2017, ku parashihej restaurimi i shtëpive të rezistencës, nuk është pranuar. Ai thotë se pas kësaj ka nisur puna në hartimin e projektligjit të veçantë për Kompleksin “Adem Jashari”, sipas të cilit një komitet ndërministror do të duhej ta hartojë një projekt të ri. Por për shkak te zgjedhjeve të parakohshme, kjo nismë ka mbetur pa u realizuar.

“Realisht edhe në vitin e kaluar kanë qenë të ndarë 3 milionë për konservimin e shtëpive të rezistencës, por duke llogaritur që komiteti ndërministror, që është themeluar në fillim të vitit 2019, nuk arriti të bëjë projektin. Kështu që të gjitha ato mjete, 3 milionë i janë kthyer përsëri qeverisë.”

Zogaj tha se Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, më nuk ka kompetencë për hartimin e ndonjë projekti të ri apo fillimin e projektit ekzistues. Burime te Radio Kosovës thonë se projekti i hartuar nga një kompani sllovene për restaurimin e kullave, nuk i ka pëlqyer as familjes Jasharaj. Por drejtori i agjencisë, Bislim Zogaj, thotë se kjo nuk ka qenë pengesë për realizimin e projektit.

“Nuk mund të themi plotësisht se nuk është realizuar ky projekt për shkak të pengesave të familjes Jashari, por nuk ka filluar realizmin i këtij projekti për shkak se ka filluar ligji i veçantë për Kompleksin “Adem Jashari”, i cili  nuk është bërë me kohë  siç është paraparë për dy apo tre muaj por ka marrë kohë mbi një vit.”

Agjencia për Komplekse Memoriale, thotë se në mungesë të një projekti për restaurim të Kullave, mjetet që kanë tepruar i janë kthyer qeverisë. Radio Kosova ka provuar të kontaktojë edhe me familjen Jashari, por nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigjeje. E ciceroni i Kompleksit ka thënë se nuk është kompetent të flasë për kullat, pasi që nuk është ekspert dhe nuk mund të flasë për gjendjen e objekteve të kompleksit. Ndryshe këto kulla i qëndruan sulmeve të pareshtura të artilerisë serbe gjatë kohës së luftës, por rrezikohen të shemben në kohë paqeje. 

 


MË SHUME NGA Lajme