Hamza: S’ka ekonomist që mund t’i realizojë këto premtime me 3 miliardë €
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se premtimet e dhëna nga Albin Kurti nuk mund të akomodohen brenda buxhetit 3 miliardë euro, andaj, sipas tij, pa besueshmëria i bën deputetët e PDK-së që mos të votojnë këtë qeveri.
(E plotësuar) Pas fjalimit të kandidatit për kryeministër, ish-ministri i Financave tha se PDK do t’i ketë diskutimet e saj dhe pastaj do të dalë me qëndrim se si do të votojë.
“Si deputetë nuk kemi program dhe për programin sigurisht që nuk mund të diskutojmë derisa të njëjtin ta kemi, përtej kësaj ne nuk e pamë as përbërjen e kabinetit të mandatarit për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Grupi Parlamentar i PDK-së sigurisht se janë të përgatitur për këtë seancë, deputetët e grupit parlamentar kanë përgatitur diskutimet e tyre, dhe pas diskutimeve të PDK-së, Partia Demokratike e ka qëndrimin e vet në raport se si do të votojë dhe sigurisht edhe një element shtesë, për arsye, që mua personalisht, por për të gjithë deputetët e PDK-së që i bën mos t’i votojnë është pa besueshmëria në ekspozenë që u tha. Premtimet që u dhanë, nuk ka ekonomist në këtë sallë dhe jashtë kësaj salle që mund t’i akomodojë brenda buxhetit 3 miliardë”, tha Hamza.























