​Kurti shpreson në unifikimin e skenës politike
BKT
Lajme

​Kurti shpreson në unifikimin e skenës politike

Kryeministri i ri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se qeveria e tij do të jetë në shërbim të Kosovës.

Kurti teksa po dilte nga Kuvendi i Kosovës tha se pasi ka marrë postin e kryeministrit do të shkojë fillimisht në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje për të takuar aktivistët e kësaj partie.

Ai madje njoftoi se këtë post do ta marrë edhe zyrtarisht nesër në orën 11:00, kur do të bëhet dorëzim-pranimi nga ish- zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

I pyetur rreth zgjedhjes në krye të Ministrisë së Brendshme të Agim Veliut, Albin Kurti nuk dha shumë komente, por që u shpreh se ky ka qenë rezultat i zgjedhjeve dhe vendim i organeve të subjekteve politike.

Lidhur me kritikat dhe akuzat e shumta që sot opozita i adresoi karshi Kurtit, ky i fundit tha se nuk do t’ua kthejë njësoj pasi synon të ketë një skenë politike të bashkuar.

“Unë kurrë nuk do t’ua kthej njësoj, dua që tash të bashkohet sa më shumë skena jonë politike për punët e mëdha që na presin edhe për shtet-ndërtim demokratik edhe për zhvillim ekonomik”, u shpreh Kurti.

Në një seancë plenare sot Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës me 66 vota pro dhe 10 abstenime. 


MË SHUME NGA Lajme