Bajrami: Gjendja në arsim shumë e keqe, punën e marrim me shumë përgjegjësi
BKT
Lajme

Bajrami: Gjendja në arsim shumë e keqe, punën e marrim me shumë përgjegjësi

Pas pranimit të detyrës si ministre e Arsimit, Hykmete Bajrami ka folur në një konferencë për media për gjendjen në arsim.

Ajo tha se gjendja në këtë sektor të rëndësishëm është shumë e keqe, por që këtë punë si ministre e re në arsim do ta marrë me shumë përgjegjësi.

“Me të vërtetë është një përgjegjësi shumë e madhe, tani nuk kemi nevojë të konstatojmë gjendjen. Gjendja në arsim është e konstatuar, situata në sektorin e arsimit është tepër e keqe me thënë më së buti. Ne e marrim këtë punë me shumë përgjegjësi dhe jam e sigurt që do të kemi edhe përkrahjen e plotë të Qeverisë në mbështetjen çoftë buxhetore, çoftë në sigurimin e pavarësisë së plotë të institucioneve”, deklaroi Bajrami.

Ministrja Bajrami ka thënë se arsimi vazhdimisht është përballur me ndërhyrje politike me çka edhe është penalizuar nga institucionet evropiane “EQAR” dhe “ENQA”, ndërsa përpara ka shumë sfida që do përballet siç janë mos përfshirja e të vegjëlve në edukimin parashkollor dhe çantat e rënduara.

Bajrami: Tani ka sfida të shumta

Video

“Për shkak të ndërhyrjeve politike, Kosova është përjashtuar nga institucionet shumë kredibile evropiane, të cilat në një formë i kanë bërë diplomat e studentëve tanë më të vlefshme. Do të bëjmë përpjekjet maksimale që te këto institucione “EQAR” dhe “ENQA” garantojmë që nuk do të ketë ndërhyrje politike, do të ketë njerëz profesionist, të cilët punojnë në zbatim të ligjit. Tani ka sfida të shumta, një nga sfidat është mos përfshirja e të vegjëlve në edukimin parashkollor. Do të bëjmë përpjekje që gjatë mandatit 4-vjeçar të shtojmë kapacitetet, në mënyrë që të ketë një përfshirje më të madhe të fëmijëve në edukimin parashkollor. Gjithashtu do të bëhet menjëherë, do të fillojë, është si një nga prioritetet e ministrisë rishikimi komplet i kurrikulave, sfidë tjetër janë çantat e rënda”, deklaroi Bajrami.

Ministrja e Arsimit tha se pavarësia e institucioneve mbetet një nga prioritetet kryesore dhe se do të punojnë bashkë me Universitetin e Prishtinës dhe universitetet tjera publike dhe private, në mënyrë që në bazë të kompetencave të ofrojnë ndihmën e mundshme që ato të arrijnë nivelin që të jenë të akredituara.

Ajo tha se në rast se ato nuk plotësojnë kushtet, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje politike që akreditime të tilla të jepen të pa akredituara, ndërsa garantoi se të gjitha bordet, të cilat do të emërohen, do të jenë në bazë të ligjit dhe do të jenë profesionale dhe jo politike.

 


MË SHUME NGA Lajme