Lushi kritikon Osmanin: Zyra e Parlamentit nuk është e saj personalisht
Njohësi i zhvillimeve politike, i cili jeton në SHBA, Uk Lushi, konsideron se kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka gabuar kur ka hequr nga zyrja e saj fotografinë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Lushi në një postim në rrjetin social facebook ka shkruar se zyret e institucioneve janë të popullit dhe aty duhet të punohet sipas udhëzimeve ligjore.
Postimi i plotë i Lushit:
Sjelljet primordiale politike duhet të përfundojnë ndër ne.
Vjosa Osmani sot ka dhënë një shembull shumë të keq duke shkelur ligjet e shtetit ndërsa ka bërë një lëvizje të ndyer populiste me zhvendosjen dhe largimin e fotos së Presidentit të Republikës së Kosovës nga balli i zyres së Kryekuvendares. Duke e bërë Ibrahim Rugovën lodër të lojës së saj të ulët ajo e ka fyer edhe Presidentin Rugova i cili është respektuar nga populli dhe shteti duke ju vendosur përmendorja para Kuvendit.
Zyra e Parlamentit, ku punon përkohësisht zonja Osmani, nuk është e saj personalisht. Zyra është e popullit të Kosovës dhe aty duhet rigorozisht të zbatohen ligjet dhe preferencat e sovranit. Jo të punëtorëve tonë që i paguajmë me taksat tona.
Nesër mund të zgjedheni ju presidente e Republikës zonja Kryekuvendare dhe shembulli juaj i jep precedentin dikujt nga një parti tjetër t' ua largojë juve fotografinë. Dhe kështu rrethi vicioz i sjelljeve primitive vazhdon të dëmtojë kohezionin dhe seriozitetin shoqëror.
Vjosa Osmani, në vend se të kontriboni në forcimin e unitetit, harmonsië dhe paqes shoqërore, me veprimin e ulët, ju keni keni treguar vogëlsi.
Ju lutem juve dhe të gjithë përfaqësuesve tonë, ndaloni sjelljet meskine dhe lëvizjet e neveritshme primitive.
Republika jonë do unitet, respekt dhe bashkëpunim të të gjithëve!























