Qeveria e re e Kosovës duhet të vendosë reciprocitet ndaj Serbisë
Rrezarta Zekaj, Radio Kosova
Qeveria Kurti ka shumë sfida para vetës, si në aspektin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm.
Njohësit e çështjeve politike thonë se shkak i qeverisjes së deritanishme, raporte të ndryshme ndërkombëtare e kanë quajtur Kosovën vend të dështuar. Sipas tyre, puna e qeverisë Kurti duhet të fillojë që nga çështjet e brendshme e deri tek ato që kanë të bëjnë me subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit, punësimi e shëndetësia janë disa nga sfidat që e presin qeverinë e re të Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, duke veçuar edhe çështjen e dialogut me Serbinë. Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë për Radio Kosovën se qeveria Kurti ka aq shumë sfida para vetës sa nuk dihet nga t’ia fillojë.
"Në radhë të parë janë sfidat që kanë të bëjnë me problemet e brendshme, me zhvillimin ekonomik, me çështjet që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit i cili fenomen gjatë gjithë këtyre viteve e ka ngrënë Kosovën nga brenda, sfidat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, një fjali që tingëllon bukur që për fat të keq nuk është arritur asnjëherë që të vihet në vend, dhe janë sfidat e tjera që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve, në kuptimin e arsimit më të mirë dhe shëndetësisë më të mirë. Për sa i përket sfidave të jashtme, kemi të bëjmë me çështjet e pazgjidhura me Serbinë, respektivisht dialogun me Serbinë, por më e rëndësishmja është çështja e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës", tha ai.
Një tjetër sfidë është edhe taksa, që sipas Mushkolajt, qeveria e re duhet ta zëvendësojë me reciprocitet:
"Në fakt, mungesa e reciprocitetit jo vetëm në fushën ekonomike dhe në fushën politike dhe në të gjitha fushat e tjera e ka sjellë vendin në këtë situatë. Nuk kemi barazi madje as me Serbinë, sepse nuk ka pasur insistim në qasje reciproke. Qeveria e re besoj se do të vendosë reciprocitet dhe pastaj kjo të ndikojë edhe në vazhdimin e dialogut me Serbinë por edhe në të gjitha fushat", tha ai.
Edhe analisti Ramush Tahiri thotë se Kurti është deklaruar për reciprocitet me Serbinë, që tregon një barazi me shtetin në fjalë. Sidoqoftë, Tahiri thotë se puna e parë e tij është miratimi I buxhetit:
"Me buxhet parashihen edhe shpenzimet e ndryshme dhe në këtë bazë është edhe arsyetimi për ato shpenzime, dhe do të dihet se cilat do të jenë kahet e zhvillimit ekonomik dhe reformat që do t’i bëjë qeveria Kurti. Do të thotë njëherë do të ndiqen afatet ligjore, punët që i ka urgjente dhe themelore që i ka secila qeveri dhe mandej Kosovën e presin temat e mëdha, ku qeveria e ka rolin e vet për unitetin e popullit po edhe për prosperitetin e ekonomik dhe të përgjithshëm dhe për prezantimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare", tha ai.
Në bazë të presionit ndërkombëtar, për sa i përket politikës së jashtme, sipas analistëve politikë, dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht e obligueshme, do të jenë ndër sfidat e para të qeverisë Kurti.























