Ministri i LDK-së i ofron postin e këshilltarit politik Rrustem Berishës
Ministri i zgjedhur i Mbrojtjes ka nisur sot punën në krye të këtij institucioni ku zyrtarisht e ka pranuar detyrën nga Rrustem Berisha që deri tani ka udhëhequr këtë ministri.
Derisa Berisha i prezantoi atij punët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë, të cilat duhet vazhduar, Anton Quni i propozoi atij të bëhet këshilltar i tij politik, ndërkohë që Berisha tha se është i gatshëm ta mbështesë sa herë që është e nevojshme.
Edhe pse i përkasin partive të ndryshme politike, Quni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e Berisha në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duket se ata kanë miqësi të vjetër në mes tyre.
Rrustem Berisha, e takoi sot ish-bashkëluftëtarin e tij që dikur ishin bashkë në Betejën e Koshares, për t’i dorëzuar atij postin që e mbante vetë deri sot, atë të ministrit të Mbrojtjes.
Por, Quni i kërkoi atij që të vazhdojë të shërbejë për Ministrinë e Mbrojtjes, në pozitën e këshilltarit të tij të lartë politik.
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti, u shpreh i bindur se e gjithë puna e deritanishme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, do të vazhdohet nga ai duke iu përmbajtur të gjitha normave kushtetuese e ligjore, në bashkëpunim me partnerët strategjik. Ai tha se do të vazhdojnë punën drejt anëtarësimit në NATO.
Ndërsa Rrustem Berisha, i cili është ministri i parë i Mbrojtjes, prej kur FSK ka nisur rrugën e tranzicionit, i dorëzoi Qunit dosjet me punët që janë bërë e ato që janë në proces për t’u vazhduar nga qeveria e re.
Ndërkohë për ofertën që Quni i bëri të jetë këshilltar i lartë politik tij, Rrustem Berisha tha se do të pranojë çdo që është në shërbim të këtij institucioni.
Por Berisha tha se nuk kanë diskutuar më herët për këtë çështje dhe se propozimi i erdhi derisa po i dorëzonte detyrën.























