Limaj: Kurti s`duhet të flasë për taksën në ditën e tij të parë të punës
Kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk është dashur të flasë për temën e taksës në ditën e tij të parë si kryeministër i shtetit.
“Kryeministri nuk duhet të flasë për temën e taksës në ditën e tij të parë si kryeministër i shtetit. Ka ma shumë se 100 tema të tjera me të cilat mund të merret, tema e taksës është temë e ndjeshme”, është shprehur Limaj në T7.
Limaj gjithashtu tha se në ditën e votimit të Qeverisë ishin treguar konstruktiv në fjalimet në foltore, pasi VV-ja në të kaluarën ishte sjellë shumë më keq.
“Nuk hodhëm ujë, as gaz lotsjellës. Thjesht thamë mendimet tona në foltore”, tha Limaj dhe ka shtuar se Kurti shpesh ka ndërruar qëndrimet në punët më me rëndësi për shtet. “Për flamur, për institucione, për pavarësi”.
Ai pohoi se me pozitën do të bashkëpunojnë vetëm në temat me rëndësi shtetërore.
Limaj po ashtu ka theksuar se LVV-ja ka pasur si platformë të ardhjes në pushtet vetëm linçimin dhe ofendimet.
“Me ofendime po fitohen vota. Me sharje publike. Kanë krijuar standard të keq. Opozitari duhet të takohet me zyrtarët në pozitë, duhet të krijohet platforma për bisedë. Ai nuk na kishte dhënë dorën, para se të ndahej VV-ja. Pse nuk e kishte bërë këtë. Është shembull i keq i opozitarizmit”, ka thënë Limaj.
Tutje ai thotë se nëse kryeministri, Albin Kurti, mund ta demantojë atë në rast se qeverisë mirë, ndonëse për këtë ai është skeptik.
Ai nuk tregoi nëse deputetët e Nismës do ta votojnë Isa Mustafën për president, në rast se ai kandidohet nga koalicioni qeveritar, ndërsa pohoi se me Mustafën ka kontakte të rregullta.























