TRAMPI E KA KUPTUAR SE BOTA KA NDRYSHUAR
Sharr Travel

TRAMPI E KA KUPTUAR SE BOTA KA NDRYSHUAR

Milazim KRASNIQI

Nuk e njoh politikën amerikane, prandaj nuk kam dhënë asnjë mendim as për zgjedhjet e fundit. Fatmirësisht, nuk më ka kërkuar as ndonjë medie mendim. Rezultati i zgjjedhjeve tregoi se edhe njohësit e politikës amerikane, edhe vetë mediet amerikane, kanë qitë fall.

Tash pas këtij rezultati në dukje të papritur e shokues, mund të kuptohet më lehtë pse ka ardhur ky rezultat dhe çka mund të presim. Ky rezultat ka ardhur nga mënyra se si mediet, elitat dhe shoqëria amerikane e kanë trajtuar botën jashtamerikane në dy deceniet e fundit, veçmas pas vitit 2001. Shkulmet e paprera të sulmeve islamofobike ndaj muslimanëve e kanë prodhuar islamofobinë, sulmet ndaj hispanikëve e kanë forcuar ksenofobinë, sulmet ndaj zezakëve e kanë rikthyer sindromin racist, nënçmimi ndaj femrës, vetëm sa e ka përligjur atë që transmetojnë mediet pa pushim dhe që realisht ndodhë me femrën në shoqërinë amerikane. Islamofobia, ksenofobia, racizmi dhe urrejtja gjinore, ishin në themelet e fushatës së Donald Trampit. Ai mund të mos jetë fare islamofob, as ksenofob, as racist, as femërurrejtës, por strategët e fushatës së tij e kanë kuptuar se këto kontigjente votuesish tashmë ekzistojnë dhe u kanë dhënë ofertën adekuate. Pra, fitorja e Trampit është disfata e liberalizmit koketues e hipokrit amerikan.

Tjetra: bota ka ndryshuar rrënjësisht në këto 30 vjet, edhe pa hipokrizinë e liberalizmit amerikan, po në disa raste edhe falë tij: sot ekziston një Kinë tjetër nga ajo e Mao Ce Dunit, një Rusi tjetër nga ajo e Boris Jelcinit, një botë arabe tjetër nga ajo e Mubarakut, Sadam Husejnit e Gadafit, një Evropë tjetër nga ajo e Theqerit, Kolit e Miteranit. Logjikisht, do të ketë ndryshuar edhe Amerika e Reganit, Bushit (Plak) e Bill Klintonit. Mbase pa e kuptuar ndryshimin e madh mediet dhe as elitat amerikane, ato që Fared Zakaria i quan “aristokracia amerikane”. Por, ky burri shihet që e paskësh kuptuar ndryshimin e botës. Prandaj ai flet për miqësi me Rusinë, për ashpërsim me Meksikën, për ftohje e injorim me Evropën, për rishikim raportesh me Kinën, etj.

Çka mund të pritet nga politika e re, e identifikuar me presidentin e ri amerikan, në raport me këtë botë të ndryshuar? Mund të priten këto zhvillime: 1. Promovimi i izolacionizmit dhe fuqizimi i grupeve sociale, politike e intelektuale me orientime islamofobike, ksenofobike, raciste e antifeministe. 2. Partneriti i ri i SHBA- ve me Rusinë (me Britaninë jashtë BE-së) mund ta rikthejë partneritetin e tipit Ruzvelt-Stalin- Çerqill dhe një rikonfigurim i interesave të këtyre tre fuqive. 3 Injorimi i Gjermani dhe Francës, për ta gjunjëzuar, (ose rizgjuar) BE-në, por gjithsesi me një BE të margjinalizuar. 4. Frenimi i ambicieve ekspansioniste e proteksioniste të Kinës, veçmas ndaj tregjeve amerikane. 5. Amerika Latine do të jetë nën presion të tmerrshëm, veçmas Meksika. 6.Sferat e influencës në Lindjen e Mesme do të rindahen mes SHBA e Rusisë, duke nxjerrë jashtë loje dokrinën e deritashme Sykes-Pikot. 7. Sa i përket Ballkanit, mund të rritet ndikimi i Rusisë edhe më shumë, pra Serbia mund të rifuqizohet. (9 nëntor 2016)