Institucioneve parauniversitare u mungon autonomia financiare
BKT
Lajme

Institucioneve parauniversitare u mungon autonomia financiare

Ardiana Hajzeri, Radio Kosova

Drejtues të institucioneve parauniversitare në Kosovë, po vazhdojnë të përballen me mungesën e autonomisë financiare, e që po shkakton probleme të përditshme në menaxhimin e shkollave si dhe realizimin e planprogramit të tyre.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit vlerësojnë se shkollat duhet të kenë autonomi financiare, për arsye se secila prej tyre  ka specifikat e veta. Sipas tyre, kjo çështje është e rregulluar me udhëzim administrativ.

Institucionet parauniversitare vazhdojnë të përballen me mungesë të autonomisë financiare dhe me problemet të cilat vijnë si pasojë e saj. Drejtoresha e Shkollës së Mesme të Ulët ‘Ismail Qemaili” në Prishtinë, Kimete Dida, i tha Radio Kosovës se kjo shkollë ka rreth tre mijë nxënës dhe për të gjitha nevojat që kanë duhet t’i sigurojnë përmes Drejtorisë Komunale.

“ Për sa i përket autonomisë së shkollës, nuk kemi fare autonomi nga ana materiale. Të gjitha kërkesat që i bëjmë për materiale higjienike, didaktike, për të gjitha ne detyrohemi t’i bëjmë kërkesë Drejtorisë së arsimit. Kjo situatë më duket shumë e palogjikshme. Shkolla duhet të ketë autonomi për faktin që shkolla jonë ka rreth tre mijë nxënës dhe brenda ditës kemi nevojë për diçka po nuk kemi mundësi të reagojmë brenda ditës.”   


Drejtori i Departamentit për Arsimin Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, tha për Radio Kosovën se mungesa e autonomisë financiare të shkollave po ndikon edhe në suksesin e tyre. Sipas Istogut kjo çështje është e rregulluar me udhëzim administrativ. 

“ Çdo shkollë i ka specifikat e veta dhe që duhet t’i analizojmë, çfarë suksesi ka ajo shkollë, konkretisht nxënësit që kanë qenë pjesë e PISA-së, çka duhet të ndryshojmë në metodologji etj.,por ende nuk kanë buxhet shkollat për ta bërë këtë dhe  kjo është një problematikë në vete. Dy udhëzime administrative janë ku drejtoria e arsimit e ndan buxhetin në bazë të kritereve, por shkollat duhet patjetër të kenë buxhetin e tyre. ”  

Rinor Qehaja, nga Instituti Edguard, po ashtu tha për Radio Kosovën se duhet të rishikohen edhe një herë Ligji për arsimin parauniversitar dhe Ligji për qeverisje nëpër komuna.

“ Është e domosdoshme të rishikohet edhe një herë Ligji për arsimin parauniversitar si dhe Ligji për qeverisjen në komuna. Autonomia e shkollës thotë që shkolla duhet vetë  të menaxhojë me buxhetin dhe kjo po vihet në pikëpyetje ku shkollat ende nuk kanë autonomi.”  

 

Drejtoritë Komunale të Arsimit, shkollat dhe MASHT-i, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe të mbështetur edhe nga Banka Botërore, kanë përgatitur projektin Autonomia Financiare e Shkollës. Qëllimi i këtij projekti është bartja e përgjegjësive buxhetore nga komuna në shkolla, në mënyrë që ato të planifikojnë vetë buxhetin, duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e tyre.  


MË SHUME NGA Lajme