Ndërron jetë ikona e Hollywoodit, Kirk Douglas
BKT
Kulturë

Ndërron jetë ikona e Hollywoodit, Kirk Douglas

Në moshën 103-vjeçare ndërroi jetë të mërkurën, më 5 shkurt, aktori amerikan Kirk Douglas. Legjenda e Hollywoodit mbylli sytë përgjithmonë, ndërsa lajmin e hidhur për vdekjen e tij e bëri familja. Një legjendë tjetër e Hollywoodit, djali i tij Michael Douglas, e ndau lajmin e hidhur me miqtë përmes një deklarate emocionale. 

“Është një dhimbje e jashtëzakonshme për mua dhe për vëllezërit e mi. Kirk Douglas na la sot në moshën 103- vjeçare. Për botën ai ishte një legjendë, një aktor nga koha e artë e filmave, i cili jetoi vite të arta, kishte përkushtim humanitar dhe ndihmoi kauza të ndryshme në drejtësi, në standarde jete, që ne të gjithë i duam”, ka thënë Michaeli.

Aktori më tutje tha se për të dhe për vëllezërit e tij, Joel dhe Peter, ai ishte thjesht një baba, për Catherinen një vjehërr i mrekullueshëm, për nipërit dhe për stërnipërit e tij një gjysh i mirë, kurse për gruan e tij Annen një burrë i mrekullueshëm. “Jeta e Kirkut ishte e përmbledhur, ai la pas një trashëgimi në film, që do t’u mbetet gjeneratave të cilat do të vinë, një histori si një filantrop i njohur, i cili punon për të ndihmuar njerëzit për të sjellë paqe në planet”, shtoi Michaeli. “Me lejoni ta përfundoj me fjalët që ia thashë atij në ditëlindjen e tij dhe të cilat gjithmonë janë të vërteta. ‘Baba - të dua shumë dhe jam shumë krenar që jam djali yt’”, përfundoi kështu deklaratën e tij Michaeli.
Ndërsa Catherine Zeta-Jones, bashkëshortja e Michealit, publikoi një foto në “Instagram”, ku shkroi: “Për Kirkun tim të dashur. Do të të dua edhe në pjesën tjetër të jetës sime. Më mungon që tani. Gjumë të qetë!”.

Kirk Douglas u lind në New York në vitin 1916 dhe spikati gjatë “Epokës së Artë” të Hollywoodit, duke u nominuar për “Oskar” për herë të parë më 1950-n për filmin “Champion” dhe ishte nominuar përsëri më 1953-n për filmin e Hollywoodit “The Bad and the Beautifull”, si dhe në vitin 1957 për paraqitjen e tij si Vincent van Gogh në filmin biografik “Lust for Life”.

Me rreth 92 role aktrimi, duke përfshirë më shumë se 75 filma, për shtatë nga të cilët ishte bashkaktor me shokun e tij Burt Lancaster, Douglas ishte superyll edhe para se ky term të njihej për ne. Douglas njihej për guximin e tij si në ekran, ashtu edhe jashtë tij, madje edhe në kohë të vështira ai ishte një njeri me bindje të përzemërta, ku punësoi një skenarist në listën e zezë, Dalton Trumbo-duke i dhënë atij kompetencë të plotë e ku ai shkroi filmin epik Spartacus më 1960-n. Douglas përpos rolit kryesor luajti edhe rolin e producentit ekzekutiv. Më 1996-n ai është shpërblyer me “Oskarin e Nderit” për 50 vjet për kontributin e tij në film dhe për komunitetin kinematografik.


MË SHUME NGA Kulturë