Nexhmije Pagarusha ishte simbol i bashkimit të shqiptarëve
Në ditën kur flamuri shtetëror është vendosur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, vepra e saj po kujtohet e lartësohet. Ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha e cila vdiq të premten në moshën 86 vjeçare, po kujtohet si simbol i bashkimit mes shqiptarëve. Vepra e bilbilit të këngës shqipe që nga mëngjesi është nderuar me ceremoni shtetërore.
Mbesa e saj, Mirjeta, mes lotëve e kujton gjyshen e saj si një grua të fortë, e cila synonte me çdo kusht pavarësinë e grave shqiptare. Në akademinë përkujtimore, ajo tha se ikona e muzikës shqipe dy vjetët e fundit të jetës, ani pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, ngushëllohej me muzikën e saj.
Pagarusha: Ajo ka qenë një grua e fortë dhe me shumë vlera
“Ajo ka qenë një grua e fortë, me shumë vlera, ka qenë një grua modeste, e interesuar për gjithçka. Për të ishte familja gjithmonë në vend të parë, të cilës sipas kohës që i premtonte dhe sipas mundësive që i ka pasur e përkrahte gjithmonë. Për ne mbesat dhe nipat ka treguar shumë durim, ka pasur çdoherë vesh për ne dhe na kushtonte kohë, na tregonte sfidat e saj që i ka kaluar që ia ka dhuruar ky udhëtim i tillë....Na ka mësuar të jemi të pavarura, të luftojmë për pozitën tonë si femra, grua në shoqërinë tonë të jemi të emancipuara, dhe të mburremi që jemi shqiptare...Në dy vitet e fundit për të nuk kanë qenë të lehta, mosha e bënte të vetën, për të si një person i pavarur, ishte shumë vështirë për të, në këto momente ngushëllohej shpesh me muzikën e saj”, rrëfen ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Nexhmije Pagarusha ishte simbol i filmit, teatrit, e këngës. Krijimtaria e ikonës së këngës shqipe, tha se do të lartësohet nga çdo brez. Si pas tij, Pagarusha ishte bilbil poshtë një shteti diktator dhe mbi supet e një populli të lashtë.
Kurti: Ajo u bë gruaja nga fshati që sfidoi paragjykimet e pasuroi kulturën e qytetit e mbarë kombit
“Muzika dhe arti tashmë kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ynë ka humbur anëtarën më të dashur dhe më të çmuar. Ata që kishin fatin të rrinin afër më të, e kuptonin madhështinë e saj prej artisteje, dhe thjeshtësinë e jetës së saj. Ata që kishin fatin të punonin me të, tregonin për diciplinën dhe përkushtimin në punë. Ajo nuk mungonte në asnjë provë dhe asnjë shfaqje dhe çdo herë jepte maksimumin. Jetonte për atë që bënte. Nexhmija ishte një vajzë nga fshati, larg kryeqytetit ku jetonin dhe vepronin njerëzit e artit dhe kulturës, një kohë dhe një botë që nuk të ofronte mundësitë e nuk ta falte suksesin. Por, ajo do të bëhej gruaja nga fshati që sfidoi paragjykimet dhe pasuroi kulturën e qytetit dhe të mbarë kombit”, tha kryeministri Kurti.
Kreu i qeverisë gjatë kësaj mbledhje komemorative tha se përkundër famës ajo jetoi thjeshtë, duke e lartësuar vendin e popullit të saj.
E kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se këngët e saj i kanë dashur nga fëmijëria. Osmani tha se populli shqiptar është i detyruar ta kujtoj gjithmonë. Sipas saj, Pagarusha nuk jetonte vetëm në një shoqëri e në një hapësirë, por ajo i krijonte dhe zgjeronte këto hapësira duke krijuar identitetin e këngës shqipe.
Osmani: Nexhmija reflektonte një forcë shtytëse
“ Në atë botë nuk e dinim se zëri ynë mund të dëgjohej në institucione dhe politikë, por mahniteshim me këngën dhe më shumë se me të, me atë që këngës ia jepte vulën e përjetësisë. Me Nexhmijen, yllin që po e ndriçonte shpirtin e secilit të ri, e të reje. Mahnitesha me mënyrën se si ajo reflektonte një forcë shtytëse, për mua dhe shoqet e mia, që të guxonim të ëndërronim, që një ditë të kapërcenim frikën e pasigurinë, dhe të dëshmonim praninë tonë, ëndrrën tonë, dhe dëshirën për të jetuar në një shoqëri të lirë dhe të barabartë. Por, Nexhmija megjithatë i shtynte ëndrrat tona edhe shumë më larg. Në krijimin e një bote që thyen konturat e një shoqërie të mbyllur dhe e bën atë hapur”, tha Osmani.
Ndër të tjera, Osmani tha se çdo iniciativë që mbron dhe promovon vlerat e artit do të ketë mbështetje nga Kuvendi i Kosovës.
Për ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Pagarusha ishte bashkim i Kosovës dhe Shqipërisë. Qemail Minxhozi në këtë akademi përkujtimore, tha se ikonat nuk vdesin asnjëherë, por vetëm lartësohen.
Minxhozi: Pagarusha u rrit pa nënë, por ajo u bë nënë e këngës shqipe
“ Pagarusha jonë u rrit pa nënë, por dashuria për Kosovën e për Shqipërinë e më gjerë, e bën nënë e këngës shqiptare. Kufijtë absurd të vendosur midis nesh që përpoqën të ndajnë historinë heronjtë, familjet dhe njerëzit e zakonshëm që kishin lindur, jetuar nën hijen e të njëjtave maleve që kishin pirë ujë në të njëjtat burime, flisnin të njëjtën gjuhë, e i thoshin vetën shqiptar patën të pamundur të ndalojnë zërin e bareshës që këndonte në bjeshkët e Kosovës, dhe jehon e dëgjohej nga Vërmoshi deri në Konispol. Bilbili Pagarusha u bë simbol i bashkimit midis shqiptarëve”, u shpreh Minxhozi.
Në emër të komunitetit artistik, e ka kujtuar edhe Rafet Rudi, i cili tha se Pagarusha ka përfaqësuar bukurinë e këngës shqipe.
Në nderim të jetës dhe veprës së bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, në Teatrin Kombëtar të Kosovës që nga mëngjesi janë hapur dyert për homazhe. Pranë arkiv olit të 86 vjeçares kanë qëndruar performues nga ansambli “Shota”, derisa nderimet e fundit janë përcjellur me tingujt e këngës “Baresha”, të vet bilbilit të këngës shqipe.
Pas mbledhjes komemorative, kortezhi me arkivolin e saj ka kaluar nga teatri deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. Artistja e mirënjohur e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër.























