Analistët: Suspendimi i taksës do të ketë më shumë peshë
BKT
Lajme

Analistët: Suspendimi i taksës do të ketë më shumë peshë

Rrezarta Zekaj

Heqja e taksës pa reciprocitet është kërkesa e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë së re të Kosovës. Njohësit e çështjeve politike në vend, thonë se spektri politik në Kosovë duhet të angazhohet në politika shtetëformuese e jo bllokuese. Suspendimi i taksës me një afatizim disa mujor do të ketë më shumë peshë se sa mbajtja e taksës apo zëvendësimi me reciprocitet, vlerësojnë ata.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër idesë së reciprocitetit mes Kosovës dhe Serbisë, e hedhur nga Albin Kurti menjëherë pas marrjes së detyrës si kryeministër i Kosovës. Kjo kërkesë e qeverisë amerikane sipas Naim Rashitit drejtor i grupit të politikave për Ballkan, është qëndrim unik ndërkombëtarë. Ai i tha Radio Kosovës se pezullimi i taksës do t’i hap rrugë dialogut:

"Është një qëndrim unik ndërkombëtarë që Kosova duhet ta heq taksën, kjo wshtw kërkuar edhe ndaj qeverisë së kaluar, në fakt që të suspendoj atë. Qeveria e re duhet të suspendoj atë, t’i jap mundësi dialogut, të krijojë parakushte për dialog, pastaj konform situatës dhe zhvillimeve në periudhën e ardhshme të sillet në raport qoftë me Serbinë qoftë me dialogun. Por parimisht ajo qw kërkohet në mënyrë eksplicite, duhet të heqet taksa e Kosova duhet të kthehet në tavolinën e bisedimeve, në nivel kryeministrash e presidentësh, të emëroj një ekip negociator i cila duhet të përgatitet sa më shpejt, pa e penguar punën e qeverisë. Në këtë kuadër vazhdimisht duhet të konsultohet me miq ndërkombëtarë që të gjej rrugën më të mirë të mundshme në kërkim të një marrëveshje me Serbinë nëse është e mundur, sepse kjo nuk varet prej Kosovës", tha Rashiti.

Sa i përket reciprocitetit, Rashiti tha se ajo duhet të analizohet mirë dhe konform ndryshimeve që vijnë, përderisa për të pasur rezultat, pezullimi i taksës duhet të afatizohet:

"Përfitimi më i madh është nëse instrumentalizohen këto politika. Kosova duhet të suspendoj taksën për 6-9 muaj apo edhe më shumë dhe kërcnimi se taksa mund të kthehet, apo masa tjera,  do të ketë peshë shumë më shumë se sa mbajtja e saj apo vendosja e reciprocitetit. Kështu që duhet të suspendohet taksa për disa muaj, ti jepet mundësi dialogut dhe pastaj të shihet se si po rrjedhë procesi i dialogut, a ka përmirësim, a ka dialog të vërtet apo a ka probleme tjera që mund të vijnë nga Serbia" tha ai.

 E sipas Lavdim Hamitit njohës i çështjeve politike e quan sfidën më serioze heqjen e taksës. Ai tha për RTK-në se Qeveria Kurti çdo vendim rreth kësaj duhet ta bëjë në koordinim me gjithë spektrin politik

"Kjo është sfida e parë dhe më e rënda për Qeverinë Kurti. E vetmja zgjidhje është se duhet të arrihet konsensus i plotë në Kuvend , të koordinohen bashkë me opozitën dhe të merren vendimet e mëtutjeshme. Shihet qartë se qëndrimi amerikan është që taksa duhet të hiqet dhe të vazhdohet tutje me dialogun e nisur më parë në Bruksel", tha ai.

Analistët thonë se në këtë situatë të gjitha subjektet politike duhet të sillen në mënyrë shtetformuese, të ketë qëndrime të përgjegjshme shtetërore të cilat duhet të jenë konform një agjende ndërkombëtare, që ka për qëllim ndërkombëtarizimin e plotë të shtetit të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme