Persona të dyshuar të Samir Manes prishin debatin në Fakultetin Filozofik
Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor dy persona të dyshuar për përfshirje në përleshjen fizike që ndodhi pasditen e së mërkurës në Universitetin e Prishtinës.
Për rastin e sulmit ndaj aktivistëve kosovarë të shoqërisë civile dhe lëvizjeve studentore, Policia e Kosovës ka thënë se dy personat e shoqëruar në stacionin policor, kanë pranuar edhe trajtim mjekësor.
“Me date 12.02.2020 rreth ores 16:53 eshte raportuar per nje rrahje te fakulteti Filozofik, te perfshire kane qene dy persona ku si pasoje kane marre lendime te lehta trupore, qe te dy jane shoqeruar ne stacion policor dhe te njejtit kane pranuar tretman mjekesor”, ka thënë Policia e Kosovës në një përgjigje për Insajderin.
Disa aktivistë të organizatave studentore dhe shoqërisë civile janë sulmuar brutalisht pasditen e së mërkurës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku kishin planifikuar të mbanin një prezantim lidhur me kushtet e mjerueshme të minatorëve të Bulqizës.
Para se të fillonte prezantimi i planifikuar mbi kushtet e mjerueshme të punës së minatorëve të Minierës së Kromit në Bulqizë, aktivistët janë sulmuar nga një grup personash që kundërshtonin aktivitetet e aktivistëve të shoqërisë civile.
Një video të cilën e ka siguruar Insajderi, shfaq sulmin brutal të këtij grupi ndaj aktivistëve të lëvizjes kosovare studentore.
Aktivisti i shoqërisë civile, Durim Jasharaj, në një bisedë për këtë portal, i ka quajtur “banditë” personat që kryen sulmin teksa është shprehur se sulmuesve u ka penguar prezantimi që aktivistët kishin planifikuar ta mbanin.
Insajderi raporton se Durim Jasharaj, aktivisti i shoqërisë civile, i cili ishte njëri nga viktimat e një sulmi të kryer nga një grup të dyshuarish brenda Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës të mërkurën, ka thënë se sulmuesit dyshohen të jenë njerëz të kontrolluar nga Saimir Mane, oligarku nga Shqipëria.
Në një bisedë këtë medium, të mërkurën në mbrëmje, Jasharaj është shprehur se grupi i sulmuesve përbehej nga rreth dhjetë persona.
Ai ka thënë se para se të kryenin sulmin, ky grup ka vendosur posterë kundër mbajtjes së një prezantimi lidhur me sindikalizmin në Shqipëri, të organizuar nga aktivistë të shoqërisë civile e të lëvizjeve studentore.
“Ne e kemi organizuar një takim për sindikalizmin në Shqipëri. Diku kanë qenë rreth dhjetë persona, të panjohur. Këta kanë ardhur dhe kanë vendosur postera me shenjën ‘X’, kundrejt mysafirëve që i kemi pasur ne. Kanë filluar të na kërcënojnë, të na shajnë dhe dikur më vonë na kanë sulmuar edhe fizikisht”, ka rrëfyer Durim Jasharaj.
Sipas Jasharajt, grupi i njerëzve që kryen sulmin ndaj aktivistëve mbronin Saimir Manen dhe kishin probleme me Elton Debreshin, kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Bulqizës – minierë e cila është privatizuar nga “Albchrome”, kompani nën pronësi të Saimir Manes.
“Këta kanë pasur problem me tezën e diskutimit dhe mbi të gjitha kanë pasur problem me prezantuesit e këtyre temave, duke thënë se ‘këta prezantues janë komunistë, janë të korruptuar etj’. Kështu, pa i pyetur askush, këta e kanë mbrojtur Saimir Manen”, ka deklaruar Jasharaj.
Jashraj ka thënë se dyshojnë që sulmuesit kanë lidhje me oligarkun dhe multi-milionerin shqiptar, Saimir Manen.
“Ne s’po themi që këta persona kanë lidhje me të [Saimir Manen, v.j], por logjika thotë kështu”, ka nënvizuar ai.
Kompania “Albchrome”, pjesë e grupit Balfin nën pronësi të Saimir Mane, vitin e kaluar ka shkarkuar nga puna kryetarin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Bulqizës, Elton Debreshin.
Për këto vendime, “Albchrome”, në dhjetorin e vitit të kaluar është vënë në hetim administrativ nga Inspektorati Shtetëror i Punës, e akuzuar se ka larguar nga puna krerët e një sindikate të re, të sapo regjistruar nga minatorët e minierës së kromit në Bulqizë.























