Sot mbahet seancë për formimin e komisioneve parlamentare
Kuvendi i Kosovës pritet që në seancën e të enjtes të vendosë për themelimin dhe funksionalizimin e komisioneve parlamentare.
Nga 16 sa kishte përbërja e kaluar e legjislativit, tani numri i komisioneve është zvogëluar në 14, çka e shtron nevojën e miratimit me dy të tretat e votave të deputetëve apo 80 vota për.
Propozimi për formimin e 14 komisioneve, është marrë në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pa praninë e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Edhe partitë e tjera, parlamentare do të kenë komisionet që do t'i drejtojnë. Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë nën udhëheqjen e vet dy komisione, ndërsa Nisma Socialdemokrate do të kryesojë një komisionin, sikurse dhe partitë nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Por, që propozimi i Kryesisë së Kuvendit të jetë i plotfuqishëm, mbetet që kuvendi të vendosë gjatë seancës së caktuar për të enjten, më 13 shkurt.























