Kryevepra tjetër e regjisorit të filmit fitues “Parasite”

Kryevepra tjetër e regjisorit të filmit fitues “Parasite”

Suksesi i jashtëzakonshëm në ceremoninë e çmimeve Oskar, i “Parasite” ka zhdoganuar më në fund kinemanë e regjisorit Bong Joon-ho.

Kështu, tani peshkohet në të shkuarën e tij dhe në kinema zbarkon Kujtime të një vrasësi, i realizuar në 2003 dhe që vetë Tarantino e cilësoi një kryevepër. Bëhet fjalë për një gërshetim zhanresh dhe tonesh, nga thrilleri deri tek portreti social.

Drama investigative shumë realiste, siç e përshkruan vetë regjisori, bazohet tek një ngjarje e vërtetë, seria e parë e vrasjeve seriale të dokumentuara në Korenë e Jugut.

Në një fshat të vogël, në 1986, gjendet një grua e re e vrarë. Nisin hetimet por gjërat komplikohen kur vrasjet vazhdojnë dhe kuptohet se bëhet fjalë për një vrasës serial. Një hetues që vjen direkt nga Seuli, mendon se do të mund ta zgjidhë çështjen, por bën gabime, ndjek pista të rreme dhe tërhiqet në abiset e një hetimi, në dukje, pa zgjidhje.

Drama është frymëzuar nga vrasja e parë seriale në Korenë e Jugut, ku një person kreu krimet e tij mes viteve 1986 1991, ngjashëm me vrasësin amerikan të zodiakut. Kujtimet e një vrasësi, është filmi i dytë i Bong Joon-ho dhe për disa kritikë është edhe një nga filmat kyç të dekadës së parë të shekullit të 21.