Shën Valentini festohet edhe në Kosovë

Shën Valentini festohet edhe në Kosovë

Shën Valentini është një nga ditët më të pëlqyera për çiftet kudo në botë. E njohur si dita e të dashuruarve, kjo festë shënohet në formë simbolike për dashurinë e çifteve, e cila ka origjinën në Romë.

Për këtë ditë të çiftet dashurinë e tyre e shprehin përmes dhuratave të ndryshme, si lule, çokollata, bizhuteri, kartolina, propozime për martesë, darka romantike dhe poezi dashurie.

Shitësi i luleve Remzi Gashi thotë se më së shumti për këtë festë ka shitur lule, por sivjet ka më pak shitje për shkak të motit të ftohtë.

“Me thënë të drejtën jo edhe sikur vitet e tjera, po më së shumti kanë blerë lule të gjalla, disa persona që janë çift kanë blerë edhe dhurata të tjera si arusha, sepse iu kanë pëlqyer. Edhe pak koha e keqe na ka prishë, po shpresojmë se më vonë bëhe t mirë. Ditën e Shën Valentinit e presin gjithë të dashuruarit”, tha Gashi

Gashi tha se çdo dëshirë të dashurës së tij ia plotëson, ndërsa thekson se respekti është gjëja më e rëndësishme në një lidhje.

“Në bazë mundësive, me mund të gjitha, çfarëdo dhurate, çka do që t’i pëlqen asaj ia plotësoj dëshirën… Çdo vit sa herë jemi dalë kemi marrë lule të gjalla…Për mendimin tim, për dashuri një njeri çdo ditë duhet pasur respekt dhe dashuri ndaj çiftit, çdo ditë duhet pasur Shën Valentin, se nuk është vetëm një ditë t’ia blej një lule dhe ta largoj dashnoren, për mendimin tim vetëm respekti është …se kur s’ki respekt dhe dashuri për të, ajo nuk është lumturi”, u shpreh Gashi.

Në këtë ditë në sheshin e Prishtinës kishin dalë edhe çifti Blerim Ajeti dhe bashkëshortja e tij Ardiana. Ata thanë për Kosovapress se çdo ditë është e vlefshme për dashuri dhe se kjo ditë nuk duhet përkujtuar vetëm për Shën Valentin.

“Ne gjithmonë si çift e festojmë Shën Valentinin… Këtë vit për Shën Valentin kam marrë lule, por gjithmonë i preferoj lulet se i dua më së shumti. Mendoj se është dhurata më e bukur që ekziston… Zakonisht ndonjë parfum, diçka të vogël simbolike… Ia vlen të festohet çdo ditë, është ditë e vlefshme, ditë për t’u dashur. Çdo ditë duhet shprehur dashurinë ndaj personit që e do”, thonë Blerimi dhe Ardiana.

Kjo ditë besohet se ka marrë emrin e një prifti nga Roma me emrin Valentin. Në këtë periudhë, Perandori Klaudius II e kishte ndaluar martesën sepse mendonte se meshkujt e martuar janë ushtarë të dobët.

Por Valentini besonte se ai rregull ishte i padrejtë dhe zgjodhi që t’i martonte çiftet fshehtazi. Kur Klaudiusi e kuptoi, e burgosi Valentinin.

Në burg, Valentini ra në dashuri me vajzën e rojës së burgut dhe kur më 14 shkurt u dërgua për t’u pushkatuar, ai i kishte dërguar vajzës që dashuronte një letër me nënshkrimin “Nga Valentini yt”!

Gradualisht emri i Shën Valentinit kishte filluar të përdorej nga njerëzit për t’ia shprehur ndjenjat personit që dashurojnë.