A është tradhti të festosh 17 shkurtin?
Sharr Travel

A është tradhti të festosh 17 shkurtin?

Ballsor Hoxha

A e tradhtojmë ndjenjën tonë shqiptare nëse e festojmë pavarësinë e Kosovës? A është tradhti të festosh ditën e sotme? Kjo është dilemë krejtësisht reale sot në shoqërinë tonë. Është dilemë përballë dhembjes sonë. Por dhembja është burimi më i fuqishëm i narcisizmit në një shoqëri. Mos jemi pre e kërkesave dhe dëshirave tona.

A ekziston kombi kosovar? A është Kosova entitet i mjaftueshëm në veten e saj? A është Kosova histori e pavarur? Këto janë debate aktuale rrënjësisht dramatike në shoqërinë tonë. Janë edhe burim pasigurie ekstreme e edhe burim vullneti të mirë për mëvetësi.

Por problemi nuk është ndoshta i shprehur saktë. Ai në të vërtetë është udhëkryq përballë hapave rrënjësisht të mëdhenj në pritje për Kosovën: dialogu me Serbinë, vetë-aktuelizimi i jonë brenda sistemit të Bashkimit Evropian, dhe në të vërtetë pavarësimi i sigurisë së Kosovëss në tërësinë e asaj që nënkupton siguria.

Problemi është në të shtruarit e këtyre pyetjeve. Ato, duke qenë se Kosova duhet të hapëroj në këto shkallë jetësimi të shoqërisë së saj, pavarësisht rezultatit, duhet parë në perspektivë të fenomeneve që do të zhvillohen.

Më saktë do të duhej të pyeteshim: A do të ekzistoj kombi kosovar? A do të jetë Kosova entitet i mjaftueshëm në veten e saj? A do të jetë Kosova histori e pavarur?

Ka një paradoks në ditën e pavarësisë së Kosovës sot. Në sjelljen e shoqërisë kosovare ndaj kësaj dite. Derisa shumica e shoqërisë sonë sot është dëshmitare direkte e dhunës së përjetuar, përpjekjes, luftës dhe sakrificës për këtë ditë, ne jemi krejtësisht të ftohtë ndaj po kësaj dite. Ne jemi, në të vërtetë, krejtësisht të kujdesshëm ndaj shprehjes së ndjenjave tona në raport me këtë ditë. Ne nuk e kemi një shpjegim të pavarur ndaj kësaj dite sot.

Në të vërtetë sot ne jemi krejtësisht të dërmuar në raport me rëndësinë e kësaj dite. E jemi edhe të tëhuajsuar nga po kjo.

Nuk është që shoqëria kosovare është izoluar në konfuzionin e kundërthënieve ekstreme në raport me jetësimin e – kosovësisë. Nuk është se ajo është fundosur brenda shpikjeve narcisiste si viktimë e dhunës. Ajo në të vërtetë sapo ka themeluar një ndryshim radikal në zgjedhjen e saj për qeverisje. Ajo ka bërë atë që nuk ndodh në Ballkan, e as nuk ka ndodhur. Ajo ka reaguar në raport me shtjellën e vetëdijes së saj dhe të strukturave udhëheqëse në politikë.

Por si ndodh që jemi të ndrojtur në theksimin dhe shprehjen e ndjenjës së të qenit të lirë duke pas qenë të dhunuar për kohë tmerrësisht të gjatë. Ne në të vërtetë jemi para dy mundësive: të të parit të – kosovësisë si proces ndërtimi, apo si qeniesim që tanimë ‘vendos vet’.

Të konsideruarit të – kosovësisë si proces në vete konoton edhe dhembjen e të qenit i varur nga premtimet, vendimet dhe udhërrëfimet krejtësisht të ftohta ndaj dhembjes sonë kolektive të bashkësisë ndërkombëtare. Është fjalë që vjen nga bashkësia ndërkombëtare dhe me këtë edhe kujtim i të qenit të varur. Gjë që ka krijuar aversionin ndaj ngadalshmërisë, varësisë, dhe pafundësisë së hapave që duhet kaluar.

Por është pikërisht kjo që ka buruar mundësinë tjetër, të të parit të vetes si fenomen i arrirë më në fund, si pjekuri. Por kjo ka lindur edhe kërkesat krejtësisht kundërthënëse dhe dezintegruese të vullnetit të përbashkët. Të të mbeturit pre e kërkesave të shoqërisë sonë. Të të parit të vetes sonë si kolektiv i arrirë para varësisë prej tjetrit dhe të pavarur në zgjedhjen e vete.

Pikërisht shtjellimi, dhe edhe hapërimi ynë në raport me këto dy mundësi është duke hapur vetëdijen tonë si shoqëri narcisiste. Narcisizëm i cili hap dëshira/kërkesa si fiksim për të konfirmuar veten tonë. E kjo paradoksalisht duke na dhënë edhe lirinë të mos festojmë ngadhnjimin.

Sot, pavarësisht përkatësisë dhe orientimit në shoqërinë tonë ne nuk dimë a duhet festuar apo nëse e tradhtojmë shoqërinë tonë duke festuar pavarësinë e Kosovës shtet. Është kufi ekstrem dhe presion tragjik që jo vetëm thekson dërrmimin tonë si shoqëri, por edhe narcisizmin e tajuar nga dhembja në përhershmëri. Narcisizëm që vjen nga dhembja dhe narcisizëm që në tërë çudinë e tij, na jep lirinë për të mos festuar ngadhënjimin tonë, pavarësisht të të ardhmes.

Narcisizmi i tajtuar nga dhembja jonë është pikërisht vendimi ynë që të tëhuajsohemi nga përjetimi ynë. Dhe dëshirat tona të mbizotërojnë ndaj realitetit ku jemi, në varësi të ndërsjellë. Varësi kundërthënëse, edhe të kushtëzuar e edhe të mundshme për një jetë më të mirë.