Keçmezi – Basha nderohet me çmimin për vepër jetësore "Azem Shkreli"

Keçmezi – Basha nderohet me çmimin për vepër jetësore "Azem Shkreli"

Për nder të 12-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndau 6 çmime për letërsi për vepër jetësore dhe çmime të tjera vjetore për vitin 2019.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi tha se, në këtë 12-vjetor të pavarësisë duhet t’i kujtojmë njerëzit që kanë dhënë kontribut të madh në letërsinë shqipe edhe në kohë të vështira në të cilat ka kaluar vendi ynë.

Dumoshi: I kujtojmë njerëzit që kanë dhënë kontribut të madh në letërsi

“Në 12-vjetor ne bashkërisht edhe unë si ministre duhet t’i kujtojmë njerëzit që kanë dhënë kontribut të madh në letërsi, duke e mbajtur letërsinë gjallë nëpër faza të rënda në të cilat ka kaluar populli ynë dhe qoftë në poezi apo prozë i kemi marrë mesazhet gjithmonë të lirisë andaj ministria jonë si çdo v it është një procedurë e cila kalon në mënyrë të konkurrimit dhe jurisë që përcakton fituesit. Kështu që unë si ministre e re 10 ditë në zyre këto çmime kanë qenë të cilat ish-ministri i ka punuar dhe i ka ndarë dhe unë tash e kam nderin me i nda bashkërisht çmimet”, u shpreh Dumoshi.

Gjashtë çmime u ndanë për veprat letrare e jetësore të përzgjedhura si më të mirat.

Çmimin Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” e mori Sabile Keçmezi - Basha.

Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” iu nda Rrahman Paçarizit për veprën “Shtatë udhë” dhe Albina Idrizi për veprën “Përsëri mars”.

Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” iu dha Xhevdet Bajrajt për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”.

Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” iu nda Berat Dakës (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes”.

Çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” e mori, Isa Memishi për përkthimin e romanit “Guaska” të Mustafa Halifas.

Ndërsa çmimin për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” e mori Januz Fetahaj për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”.

Fituesja e çmimit Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, Sabile Keçmezi - Basha, tha se ndjehet e nderuar me këtë çmim e që sipas saj është çmimi më prestigjioz në Republikën e Kosovës.

Keçmezi-Basha: Jam e nderuar për këtë çmim

“Sot vërtet jam shumë e nderuar që më jepet çmimi ‘Azem Shkreli’, çmim jetësor që është njëri ndër më prestigjiozët që jepet në Republikën e Kosovës, gjithashtu jam shumë krena re që këtë çmim e jep Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit”, u shpreh Kaçmezi-Basha.


MË SHUME NGA Kulturë