Kërkohet qartësim të situatës rreth masës së reciprocitetit me Serbinë
Bardha Shkreli, Radio Kosova
Shoqëria civile kërkon qartësim të situatës rreth masës së reciprocitetit me Serbinë. Analistët thonë se taksa duhet të hiqet pa kushte. Kurse, përfaqësues të partive në pushtet thonë se për këtë çështje është i nevojshëm uniteti i të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Shoqëria civile kërkon nga qeveria qartësim të situatës, në raport me heqjen e taksës apo edhe vendosjen e masës së reciprocitetit të Qeverisë së Kosovës ndaj shtetit serb. Jeta Kransiqi, nga Instituti Demokratik, po ashtu thotë se në gjithë këtë proces është e rëndësishme që Kosova të ketë mbështetjen ndërkombëtare.
“Po tani për ne është e rëndësishme që të kemi qartësim nga ana e qeverisë se si do të vendosen masat e reciprocitetit qoftë në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe atë të politikës dhe si do të ndodh kalimi nga masat reciproke në heqjen e taksës. Gjithashtu për ne është e rëndësishme që në kuadër të këtij procesi, të vazhdojmë të kemi mbështetjen ndërkombëtare dhe në kuadër të procesit të dialogut dhe normalizimin të shtyjmë përpara interesin e shtetit të Kosovës.”
Kurse, analisti Ramush Tahiri thotë se në këtë fazë, taksa duhet të hiqet pa kushte. Ai thotë reciprociteti nuk mund të zëvendësojë tarifën, meqë ajo është një procedurë.
“ Albin Kurti si kryeministër duhet të jetë legalist dhe të respektojë ligjin dhe kushtetutën, t’i respektojë raportet me SHBA-në dhe në këtë fazë taksën duhet ta heqë pa kushte. Reciprociteti nuk mund të jetë zëvendësim i taksës, taksa hiqet pa kushte, kurse reciprociteti është normë normale në marrëdhëniet midis shteteve.”
Qeveria e Kosovës vetëm ka konfirmuar se është duke punuar për heqjen e tarifës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës dhe për futjen e masës së reciprocitetit të plotë me Serbinë. Këtë e ka konfirmuar disa herë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pa dhënë detaje se kur do të merret një vendim i tillë.
Edhe në Vetëvendosje, tregohen të kujdesshëm në këtë pikë. Artan Abrashi thotë se taksa do të hiqet, atëherë kur krijohen kushtet për reciprocitet. Por ka disa ditë që zyrtarë të partive në pushtet kërkojnë unitet, duke thënë se të gjithë duhet të flasin me një zë kur është në pyetje interesi i vendit.























