Çështja e të zhdukurve, duhet të jetë prioritet i qeverisë së re
Mejreme Tahirukaj
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, synon zgjidhjen e problemeve të jashtëzakonshme politike dhe teknike si dhe dhe të avancojë të ardhmen evropiane të rajonit.
Shoqatat dhe familjarët e personave të zhdukur kërkojnë që çështja e të pagjeturëve të diskutohet në dialogun Kosovë-Serbi që pritet të rinisë së shpejti. Prenk Gjetaj - kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, thotë për Radio Kosovën se çështja e të zhdukurve, duhet të jetë prioritet i qeverisë së re.
Për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, të dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Serbisë, duhet të jenë konstruktive dhe bashkëpunuese, dhe të veprojnë në frymën e dialogut dhe në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara. Kështu thotë për Radio Kosovën Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. Sipas tij, me veprime humane, vështirë është të zgjidhet çështja e të zhdukurve, prandaj kjo çështje duhet të ngritet në nivel politik.
“Me veprime humane vështirë që mund të arrihet ndonjë zgjidhje, prandaj kemi kërkuar që në nivelet e bisedimeve çfarëdo çofshin, të jetë në agjendën e bisedimeve me palën serbe pikërisht çështja e personave të zhdukur”, tha Gjetaj.
Dialogu me Serbinë për Persona të Zhdukur në nivelin e grupeve punuese me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, është duke vazhduar që nga vitit 2004. Gjetaj sqaron se këto bisedime zhvillohen në baza humane, ndërsa thotë se ende nuk kanë informata se në çfarë forme do të funksionojë Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në kuadër të qeverisë Kurti. Edhe familjarët e të zhdukurve, disa herë kanë kërkuar që kjo çështje, të jetë pjesë e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë. Nusrete Kumnova dhe Bajram Çerkinaj thonë se bashkësia ndërkombëtare duhet të shtojë presionin ndaj Serbisë për të dhënë informacione të sakta për të zhdukurit.
“Ne u bëjmë apel edhe vendorëve dhe ndërkombëtarëve qe ta kushtëzojnë Serbinë qe t’i kthejë trupat dhe t’i dënojë kriminelët. Nuk ka seriozitetit sa duhet as te vendorët e as te ndërkombëtarët për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur . Ne Kosovë politikanët na mbajnë pengë por edhe ata që mund ta shtyjnë procesin edhe në Beograd edhe në Prishtinë”, thanë Kumnova dhe Çerkinaj.
Një kohë të gjatë në Bruksel është folur për telekomin, energjetikën dhe çështje të tjera, por nuk është diskutuar për kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur. Organizatat që merren me çështjen e personave të zhdukur, vlerësojnë se kjo çështje jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, është ndër parakushtet për për forcimin e institucioneve demokratike dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Kosovë dhe Serbi.























