Gjuha identiteti i një kombi, i një etnie dhe i një trashëgimie
Sharr Travel

Gjuha identiteti i një kombi, i një etnie dhe i një trashëgimie

Sot është dita ndërkombëtare e gjuhës. Të çliruar të ndjehemi ata që jemi. Të lirë të jemi ata që ndjehemi

Autore Behare Bajraktari

Njerëzit pasurinë e konceptojnë në forma të ndryshme, dhe këta njerëz kanë të drejtë për mendime dhe orientime të ndryshme.

Disa e konsiderojnë që të kesh para është thelbi i pasurisë. Disa të tjerë pasuri i llogarisin fëmijët. Janë disa të tjerë që thonë se shoqëria-miqtë janë pasuri.

Por, është edhe një grup i njerëzve që thonë se pasuri është toka që ke, vendi, gjeografia. Disa thonë se trashëgimia është pasuri. Të kesh një burrë a një grua në jetë është pasuri.

Pra, pasuria është çështje këndvështrimi, interesi dhe interesimi.

Derisa jemi në epokën digjitale, është zor të thuash se ajo që është pasuri për mua është dhe pasuri për ty!?

Por sigurisht që kombi, shteti vendi yt dhe përkatësia jote janë pasuri. Pra ti diçka duhet të jesh?

Shqiptar, gjerman, zviceran, italian, amerikan apo një kombësie tjeter.

Kombësinë mund ta marrësh në disa forma. Njëra prej tyre është përmes prindërve, çfarë janë ata bëhesh edhe ti- është si dhuratë. Trashëgimi.

Por, gjuha?

Gjuha, është ajo që të jep identitet kombësie. Madje si një dhe e vetme që të bën me shumë ai/ajo çfarë je.

A ka ndonjë matës të gjakut ose analizë që e vërteton se cilës përkatësi etnike i përket?

Jo, nuk ka. Pra nuk ka asnjë dhe s’do të ketë! Pra, as testet e AND-së nuk thonë për asnjë se i përket 100 përqind një populli të caktuar.

Pra, gjuha mbetet identiteti i një populli e jo gjaku, ani pse zakonisht patriotet folklorist shkruajnë dhe këndojnë për gjakun dhe etninë si identifikues i kombëtarisë.

Gjuha identiteti i një kombi, i një etnie dhe i një trashëgimie.

Sot është dita ndërkombëtare e gjuhës. Të çliruar të ndjehemi ata që jemi. Të lirë të jemi ata që ndjehemi.

Pa gjuhë s’do të kishte komb. Pa komb s’do të kishte përkatësi gjuhësore.

Ta ruajmë ta duam sikur të ishte e vetmja pasuri. Të tjerat pasuri janë vetëm deri te varri, ndërsa gjuha është përtej vdekjes.