Koncerti “Zonjat e Kangës” gërsheton tradicionalen me modernen

Koncerti “Zonjat e Kangës” gërsheton tradicionalen me modernen

Me një koncert recital do të nderohen disa gra, që patën ndikim në jetën tonë shoqërore e kulturore. Kjo nismë artistike e aktores dhe e këngëtares Edona Reshitajt pritet të realizohet këtë javë. Koncerti me titull “Zonjat e Kangës” do të mbahet më 26 shkurt. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për medie.

“Më 26 shkurt 2020 Edona Reshitaj do ta prezantojë koncertin recital ‘Zonjat e Kangës’.              Ky koncert u dedikohet figurave më të spikatura femërore të muzikës shqipe mbarëshqiptare, të cilat kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në muzikën shqipe”, thuhet në njoftimin për medie.

Sipas organizatorëve, përmes këtij koncerti, i cili do të shoqërohet me një repertuar të larmishëm të këngëve nga zonjat e muzikës, me përpunime dhe me aranzhmane të veçanta, do të gërshetohen me finesë tradicionalja në ritmet e muzikës xhaz. “Duke gërshetuar me finesë të vjetrën me modernen dhe duke shkrirë folklorin dhe tradicionalen në ritmet e xhazit. Kitara, kontrabasi, pianoja, bateritë, trumbeta, klarineta dhe saksofoni do të lundrojnë nëpër ujërat e pastra të melosit tonë”, thuhet më tutje në këtë njoftim.

Ky koncert do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Prishtinë, prej orës 20:00 dhe do të transmetohet më 8 mars në KTV, me fillim prej orës 20:00.

Organizatorët e koncertit “Zonjat e Kangës” kanë deklaruar se ky projekt ka disa qëllime e kryesori është t’i nderojë “Zonjat e Kangës” për gjithë punën, mundin, sakrificën dhe rolin e rëndësishëm, që kanë pasur në muzikës shqipe, duke na lënë një trashëgimi të çmuar kulturore.  “Koncerti ka për qëllim të jetë një dhuratë e bukur pikërisht për Ditën e Gruas, atë të 8 Marsit, duke potencuar rolin e femrës si grua, si nënë, si artiste ose thënë shkurt si një qenie e jashtëzakonshme njerëzore, si dhe të inkuadrojë të rinjtë në njohjen e këtyre këngëve dhe nxitjen e dashurisë për to. Koncerti gjithashtu synon të kontribuojë në përkrahjen e qasjeve të reja nga gjenerata e re e artistëve”, thuhet në njoftim.

Koncerti muzikor “Zonjat e Kangës” mbledh një grup të dëshmuar muzikantësh nga Kosova dhe nga Shqipëria. Në këtë koncert do të interpretojnë: Visar Kuçi me kitarë, Nesim Maxhuni në bateri, Roni Gjura me kontrabas, Ermal Rodi me klarinetë dhe me saksofon. Pjesë e tij do të jetë edhe Fatjon Miftaraj me piano, Art Lokaj me kitarë elektrike, Dukagjin Muhaxheri me saksofon e Rajkard Bardhi me trumbetë.

Mysafire speciale në këtë koncert do të jenë aktoret e mirënjohura: Ilire Vinca, Rebeka Qena, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Qendresa Kajtazi, Edona Sopaj, Rabije Kryeziu, Kaltrine Zeneli dhe Daniela Markaj.

Përpunimet e këngëve që do të interpretohen i bëri artistja Edona Reshitaj. Aktorja dhe këngëtarja Edona Reshitaj tash e disa vite merret me eksplorimin e muzikës së vjetër shqipe. Ajo përpiqet t’i sjellë disa krijime të vjetra muzikore shqipe në një version më modern. Para këtij koncerti ajo ka organizuar edhe disa mbrëmje të tjera muzikore të kësaj natyre. Përmendim këtu koncertin “E kuqja dhe e zeza”, që u mbajt më 28 nëntor të vitit 2015, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Në anën tjetër, aranzhmanin e këngëve e bëri Visar Kuçi, kurse përpunimin e zërave në kor i bëri Trimor Dhomi. Fotografitë e pllakateve të koncertit i ka bërë Arton Humolli, kurse dizajnin Besart Sllamniku. Kostumet e koncertit i ka përgatitur Yllka Brada.

Koncerti “Zonjat e Kangës” mbështetet nga Komuna e Prishtinës, nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, nga Teatri Kombëtar i Kosovës, si dhe nga “Kohavisioni”.


MË SHUME NGA Kulturë