Shkrimtarët shqiptarë në takimin mbarëkombëtar “Letra nga diaspora”
BKT
Kulturë

Shkrimtarët shqiptarë në takimin mbarëkombëtar “Letra nga diaspora”

Autorë, përkthyes, studiues dhe emra të njohur të letrave shqipe, brenda dhe jashtë vendit u bënë bashkë në evenimentin kulturor takimi i shkrimtarëve të diasporës “Letra nga diaspora”. Në këtë takim të veçantë, i organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe nën kujdesin e ministrit të Shtetit për Diasporën, u diskutua për letërsinë, për gjuhën dhe për vlerat atdhetare.

Në përshëndetjen e tij ministri Pandeli Majko, duke vlerësuar kontributin e autorëve të njohur të letërsisë shqipe, të cilët largësia nga atdheu i nxiti të pasuronin letërsinë, artin dhe identitetin kombëtar, theksoi se letërsia e diasporës i ka fillesat te Rilindja Kombëtare, nga Frashëllinjtë në Turqi, te De Rada në Itali. “Është koha të flitet për letërsinë kombëtare shqiptare. Ju jeni ambasadorët e kulturës dhe të penës shqiptare. Ky nuk është emërim administrativ dhe as kompliment. Ai ka peshën e fjalës dhe të heshtjes”, u shpreh ministri Majko.

Më tej ai shtoi se mbi njëqind shkrimtarë shqiptarë aktivë në gjithë botën po krijojnë e po kontribuojnë për letërsinë tonë kombëtare, ndërkohë në komunitetet e shumta shqiptare, si shoqata “Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Krijuesve në Gjermani e në Austri” po bëhen promotorë të rëndësishëm të përhapjes së letërsisë shqiptare.

E pranishme në këtë takim ministrja e Kulturës, Elva Margariti, vlerësoi kontributin e të gjithë personaliteteve shqiptarë në fushën e kulturës, të cilët në kohët më të errëta që ka kaluar Shqipëria kanë kontribuuar në mbijetesën e saj dhe kanë shërbyer si ambasadorët më të mirë të vendit.

Përmes një letre, aktivitetin e përshëndeti edhe anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës, shkrimtari Gazmend Kapllani. Pjesëmarrës në panele ishin autorë të njohur të letërsisë. Në këtë aktivitet merrnin pjesë autorët, si: Ardian Ndreca, Bashkim Shehu, Luan Topçiu, Rudolf Marku, Anisa Markarian, Durim Taçi, Stefan Çapaliku, Ndue Ukaj, Arben Dedja, etj. Takimi, i organizuar në panele të ndryshme tematike e lexime autoriale, synoi të ndihmojë në njohjen, në promovimin dhe në nxitjen e komunikimit të shkrimtarëve të diasporës me lexuesit dhe me botuesit shqiptarë, si dhe prezantimin e letërsisë së migracionit, e cila luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe në promovimin e albanologjisë në botë.


MË SHUME NGA Kulturë