Daci boton edhe një libër me poezi

Daci boton edhe një libër me poezi

“Zog” është libri më i ri me poezi i poetes Mehrije Daci i cili ka dalë nga shtypi këtë javë. Libri është i ndarë në dy cikle. Në ciklin e parë “Fillim pa kurrkund fund” janë përfshirë gjashtëdhjetë poezi shkruar në standard, kurse në ciklin e dytë “Jom e fortë” njëzet e tetë poezi shkruar në variantin gegë.

Kushdo që e njeh biografinë e autores, shenjat e biografisë së saj i gjen në këtë libër, i cili s’e ka vetëm një lajtmotiv të jetës së saj – dashurinë, por një sërë motivesh duke u nisur nga temat e përditshme, nga përballjet e natyrshme e të panatyrshme me njerëz, fenomene natyrore dhe dukuri abstrakte. Megjithatë, vëmendjen më shumë e tërheqin poezitë me motive të dashurisë, e cila sa duket që autores i mungon e ndien mall për të, sa duket që e ka pranë vetëm si hije, po kaq herë duket se kjo është vetëm një dashuri imagjinare.

Librin e ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni” dhe që nga sot e gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë e në librarinë “Altera” në Prizren nga java e ardhshme.

MËSIME

Më mësuan e folën gjatë
për mua, për gjumin tim,
për ujin dhe guximin,
për lindjen time,
pastaj…
ma mësuan vdekjen,
atë pas plagëve të marra;
ma mësuan jetën
si duhet marrë frymë,
me çka ta mbuloj çivitin e fjalës e damkat e njeriut;
pastaj më thanë
jeto!
Mohimin s’e zuri kush ngoje
e unë desha që të gjitha
të mos jenë aq të mëdha,
kishte aq shumë mësime
e unë kisha vetëm dy krahë.

LIRA

Më shiko pastaj e kupton
ku fle dhimta,
ku çel sytë e egërsum,
në tërbim ku kafshon.
Këtu i dashtun,
këtu, në barkun tem.
Më shiko e pastaj e kupton
si i vuna në gjumë shtatë detna.
Vijat e gzimit tem,
me i ngja dorës tane,
i dogja në drita të syve
e nuk pashë ma.
Më shiko e pastaj e kupton
ku më zë gjumi i vonë,
mbështjellun në gëzofin e lepurit
netve të bame haram,
netve kur nuk jem ngat.
Më shiko e pastaj e kupton,
pse lutna që retë e tërbueme
në sy lot mos me t’pru.
Pse palat e këmishës tane veç mbarë i kthej,
pse e mbuloj me lira të kuqe,
qiellin skej më skej!


MË SHUME NGA Kulturë