Video: Fakulteti i Edukimit me plan konkret për kryerjen e masterit
BKT
Lajme

Video: Fakulteti i Edukimit me plan konkret për kryerjen e masterit

Valbona Tahiri RTK

Mësimdhënësve të cilët janë vetëm me studime themelore, iu kishte premtuar nga Ministria e Arsimit se do u  mundësohet kryerja e masterit pa shkëputje nga puna. E për këtë çështje edhe pse ekziston një plan i detajuar prej Fakulteti i Edukimit që nga muaji mars i vitit 2019, drejtuesit e qeverisjes së kaluar në Ministrinë e Arsimit nuk kanë dhënë dritën e gjelbër që të jetësohet ky projekt.

Derisa mandatarët e rinj në MASHTI  theksuan se shumë shpejt kjo çështje do të kthehet në shqyrtim në Bordin për rikualifikim.

Mirlinda Kozmaqi është mësimdhënëse e gjuhës angleze, tani e 11 vite në komunën e Obiliqit. Por ajo ka vetëm kualifikim themelor universitar, me 180 kredi.

E për këtë në Ministrin e Arsimit në vitin 2018, kishin nxjerrë udhëzimin administrativ për “Normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm”, i cili do u mundësonte këtyre mësimdhënësve, që të përfundojnë studimet master deri në vitin 2021.

Por edhe pas dy vitesh, nuk është realizuar asgjë në këtë drejtim.

“ Është  shumë e padrejtë edhe tani kemi presione se do na hapet konkursi për vendet tona të punës, kontratën e kemi 1 vjeçare, po na shkakton shumë stres, është diçka që nuk është faji jonë. Ne jemi në pritje qe 4 – 5 vite, dhe kjo është një e padrejtë që po na bëhet..” tha Kozmaqi për RTK-në.

Për këta mësimdhënësve, që gjithsej janë 700, iu premtua nga MASHT se do të krijohet një program i veçantë që të vijojnë studimet master, pa shkëputje nga puna. Por sindikalistët e arsimit tregojnë se premtimet vazhdojnë të mbesin vetëm si të tilla. Ata shpresojë që kjo gjendje të ndryshohet sa më shpejt.

Rrahman Jasharaj kryetar i SBASHK-ut thotë për RTK-në, se presin që me Ministren, Bajrami  ta rikthejmë në tavolinë këtë temë dhe fillimisht të zgjatet afati i udhëzimit dhe të fillojë procesi i ndjekjes së studimeve për këta kolegë pa shkëputje nga puna.

E zyrtarë të Fakultetit të Edukimit, të cilët janë bërë përgjegjës nga Ministria e Arsimit, për organizimin e shkollimit universitar të mësimdhënësve më 180 kredi, tregojnë se që nga marsi i vitit 2019, është e gatshme zgjidhja për këtë çështje.

Në dokumentin e dërguar në Ministrinë e Arsimit nga Fakulteti i Edukimit thuhet:

“Po ua dërgojmë një dokument i cili parasheh zgjidhjen e mundshme dhe hapat që duhet të ndërmerren urgjentisht në mënyrën që në vitin akademik 2019/2020 të fillojmë me gjeneratën e parë..”

Madje në këtë dokument të Fakultetit të Edukimit specifikohet se janë të gatshëm për ofrimin e studimeve master për lëndët: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji,  Gjeografi, Histori, Teknologji dhe drejtimet, për të gjithë mësimdhënësit e shkollave profesionale.

Në dokumentin e dorëzuar para 1 viti tutje është theksuar se:

“...Në vitin akademik 2019-2020 mund të fillojmë me pranimin e kuotës prej 40 studentë në secilin prej 8 programeve lëndore që janë të akredituara gjithsej 320 studentë në një gjeneratë. Studimet do të jenë pa shkëputje nga puna, dhe do të realizohen ligjëratat gjatë vikendeve apo edhe gjatë pushimeve të verës...”

Për këtë çështje u nënshkrua edhe një marrëveshje mirëkuptimi në mes të drejtuesve të Fakultetit të Edukimit dhe atyre të Ministrisë së Arsimit në muajin shtator të viti 2019, por për mosjetësimin e gjithë kësaj zyrtarë në Fakultetin e Edukimit thonë se duhet ta mbajë Ministria e Arsimit, përkatësisht qeverisja e kaluar e këtij dikasteri.

Derisa, kabineti i ri qeverisës në Ministrinë e Arsimit dhe Inovacionit, nëpërmjet postës elektronike drejtuar RTK-së, për këtë çështje kanë theksuar se:

“...MASHTI ka grumbulluar të dhënat për këtë kategori nga DKA-të. Këto të dhëna janë përpunuar dhe janë dërguar në Bordin për rikualifikim. Me dijeninë tonë është duke u punuar në këtë drejtim për të parë mundësinë e përfshirjen së kësaj kategorie në program rikualifikimi...”

Më tutje thuhet në përgjigjen nga MASHTI se kjo çështje shumë shpejt do të kthehet në shqyrtim në Bordin për rikualifikim, i cili ka përbërje nga zyrtarë të Universitetit të Prishtinës, MAShTI dhe ekspertë të fushës.


MË SHUME NGA Lajme