Dumoshi vlerëson kontributin e Turqisë për Kosovën
Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë Çagri Sakar.
Dumoshi ka vlerësuar kontributin e Turqisë për Kosovën, me theks në fushën e trashëgimisë kulturore.
E para e MKRS-së e falënderoi qeverinë dhe popullin turk për përkrahjen dhe ndihmën që kanë dhënë për Kosovën.
Ajo shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe mes Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Turqisë për të realizuar projekte të përbashkëta konkrete.
Ndërkaq diplomati turk e ka uruar ministren për detyrën e re dhe e premtoi se bashkëpunimi dhe përkrahja ndaj MKRS-së do të vazhdojë.
Mysafirët e informuan ministren për projektet që janë realizuar deri më tani nga qeveria turke në Kosovë.
Ambasadori theksoi se Turqia e Kosova do të vazhdojnë të jenë përkrah njëra-tjetrës edhe në të ardhmen dhe rikonfirmoi se mbështetja e Ambasadës në projekte të ndryshme do të vazhdojë dhe bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej.























