PSD: Konflikti Thaçi-Kurti është konflikt për rolin qendror bashkëpunues

PSD: Konflikti Thaçi-Kurti është konflikt për rolin qendror bashkëpunues

Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, në konferencën e sotme në lidhje me marrëveshjen mes ish-kryeministrit Hashim Thaçi me sekretarin e NATO-s, duke pohuar se “asgjë nuk mund të kryhet me spektaklin medial”.

“Nëse nuk e kërkon shkarkimin, as nuk e gjykon si të dëmshme përmbajtjen e marrëveshjes, si arsyetohet urgjenca e lajmit e konferenca e jashtëzakonshme. Në fakt, konflikti Thaçi-Kurti është konflikt për rolin qendror bashkëpunues. Me kë punojnë amerikanët, kjo është çështja-kjo është lufta”, thotë PSD.

Komunikata e plotë e PSD-së:

Kryeministri Kurti sot paska zbuluar një marrëveshje sekrete midis Hashim Thaçit, atëherë kryeministër, dhe Sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Marrëveshja sanksionon operimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të vendit. Sipas saj, FSK do të shkojë në këtë pjesë të territorit vetem pas koordinimit me KFOR-in. Nëse, letërkëmbimi Thaçi-Rasmussen e ka statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, atëherë kjo marrëveshje përbën shkelje e Kushtetutës.

Deri më tani Qeveria e re nuk ka marrë qëndrim tjetër karshi rolit të forcave të armatosura të Kosovës në veri. Veç kësaj, Kurti nuk po insiston as në vlerësimin e kushtetueshmërisë së saj. Nga çfarë kuptuam prej konferencës së jashtëzakonshme, denoncimi i tij ishte veprim transparence. E përgëzojmë për këtë.

Nëse marrëveshja përbën shkelje kushtetuese, konsekuencat duhet të ndiqen deri në fund. Ky denoncim nuk duhet të ndalet vetëm me grindjen personale e sulmin mediatik ndaj Thaçit. Marrëveshja duhet të shkojë në Gjykatë Kushtetuese për interpretim, e Kurti si kryeminstër duhet ta anulojë atë.

Kurti e ka ndryshuar dukshëm qëndrimin e tij karshi dialogut me Serbinë pas konferencës së Mynihut. Kjo sepse aty është kuptuar që përveç Kryeministrit Kurti, pjesë e këtij dialogu do të jetë edhe Presidenti. Është kuptuar që ai nuk po mënjanohet dot. Pa këtë kontekst, letra si e vetme duket absurde. Nëse nuk e kërkon shkarkimin, as nuk e gjykon si të dëmshme përmbajtjen e marrëveshjes, si arsyetohet urgjenca e lajmit e konferenca e jashtëzakonshme. Në fakt, konflikti Thaçi-Kurti është konflikt për rolin qendror bashkëpunues. Me kë punojnë amerikanët, kjo është çështja-kjo është lufta.