Mosefikasiteti i institucioneve të drejtësisë po u kushton qytetarëve
Pajtim Çuni
Vonesat në trajtimin e lëndëve dhe ndarjen e drejtësisë nga ana e gjyqtarëve e prokurorëve, po u kushton shumë qytetarëve, madje, në disa raste edhe me jetë. Monitoruesit e sistemit të drejtësisë thonë se në raste të caktuara, si pasojë e mosefikasitetit të institucioneve, kosovarët në vend të drejtësisë po marrin padrejtësi.
Më 28 janar të këtij viti, gjatë bastisjes së një shtëpie në Zhur të Prizrenit, pas shpërthimit të një mjeti eksplodues, u vra polici i Kosovës, Sami Thaçi. Për këtë rast, ku u plagosën edhe dy policë të tjerë dhe një fëmijë, i dyshuar është Iran Badalli, i arrestuar për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Për Ehat Miftarajn, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, polici i vrarë është viktimë edhe e mosefikasitetit të institucioneve të drejtësisë.
“Fatkeqësisht polici i vrarë në krye të detyrës është viktimë edhe e një sistemi të drejtësisë, i cili nuk ka qenë dhe nuk është në gjendje t’i ushtrojë kompetencat në bazë të ligjit. Them se është viktimë, me vetë faktin se personi i akuzuar në këtë rast ka qenë subjekt i disa procedurave penale, i një numri të madh të aktakuzave, e i cili kryesisht është dënuar me kusht”, tha ai.
Miftaraj thotë se mosefikasiteti i institucioneve të drejtësisë, vonesat në trajtimin e lëndëve dhe drejtësia selektive në disa raste, po bën që gjykatat e prokuroritë të jenë shkelëse të të drejtave të njeriut.
“Kur nuk ke kontroll të duhur nga ana e Këshillit Gjyqësor dhe atij prokurorial të Kosovës, gabimet nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve po përsëriten në vazhdimësi. Kjo po bën që qytetarët e Kosovës në vend të drejtësisë të marrin padrejtësi, e kështu, gjykatat dhe prokurorit tona, në njëfarë mënyre po bëhen edhe shkelëse të ligjit dhe të drejtave të njeriut", shtoi ai.
Përveç nga mosefikasiteti i institucioneve të drejtësisë, qytetarët shpesh kanë pësuar me fatalitet edhe nga neglizhenca e Policisë së Kosovës.
Kështu, nga paslufta, dhjetëra gra, viktima të dhunës në familje, janë vrarë si pasojë e mosofrimit të sigurisë nga ana e policisë, edhe pse ato kishin raportuar dhunën dhe kishin kërkuar mbrojtje.























