Kosova një ditë pas takimit Thaçi – Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë
BKT
Lajme

Kosova një ditë pas takimit Thaçi – Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kërkoi të martën parlamentit të Kosovës që të mbajë një seancë të mërkurën më 4 mars për ta njoftuar në lidhje me vizitën në Shtetet e Bashkuara, ku të hënën është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në një bisedë të shkurtër me Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha të hënën se takimi u mbajt “duke dëshmuar vullnetin e mirë, pa ndonjë të veçantë, vullnetin dhe simbolikën e fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare që nënkupton paqen dhe stabilitetin për Kosovën, Serbinë por edhe tërë Ballkanin Perëndimor”

Ai tha se takimi e ka mesazhin e veçantë sepse Shtetet e Bashkuara “po rikthehen në pozicionin që e kanë pasur, atë të përcaktimit të agjendave paqësore dhe të perspektivës euro – atlantike për tërë Ballkanin Perëndimor”.

Ai tha se rëndësia e takimit të së hënës është e pakrahasueshme me të gjitha takimet që kanë ndodhur kudo në botë mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, për vet faktin se është zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndërmjetësimin amerikan.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka qenë në dijeni për këtë takim.

“Jam në dijeni që është i interesuar të vijë në Kuvendin e Republikës. Besoj që para se të shkojë ka qenë dashur të vijë në Kuvendin e Republikës, para se të shkojë ka qenë dashur të vijë te kryeministri i ri i Kosovës në mënyrë që të diskutojmë dhe dakordohemi për politikën e jashtme. Ne duhet ta kemi një politikë të unifikuar të jashtme si Republikës e Kosovës dhe është gabim e dëm që nuk ka ardhur në institucionet tona para se të provojë të bëj dakordime me presidentin e Serbisë”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se presidenti Thaçi u kthye nga Shtetet e Bashkuara “pa një deklarim të përbashkët me presidentin e Serbisë se lëre më pa marrëveshje dhe fakti që nuk kanë një marrëveshje presidenti i Kosovës me presidentin e Serbisë, besoj që është një dështim i dobishëm për Republikën e Kosovës”.

Takimi i presidentëve në Shtëpinë e Bardhë ndodhi gjatë kohës kur ata ishin në Shtetet e Bashkuara në vizita të ndara gjatë të cilave zyrtarët amerikanë kanë kërkuar që të dyja palët të ndërmarrin verime që sigurojnë rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Nuk ka pasur ndonjë njoftim nga Shtëpia e Bardhë rreth takimit të së hënës, por të martën ambasadori Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi tha se “askush nuk po përpiqet që të lëvizet shpejt dhe nuk ka asnjë marrëveshje të madhe”.

Ai i bëri këto komente duke ju kundërpërgjigjur një postimi të gazetarit britanik Tim Judah, i cili shkroi se “Richard Grenell dhe presidenti Trump do të donin të lëviznin shpejt në një marrëveshje të madhe”./VoA


MË SHUME NGA Lajme