Epopeja e UÇK-së nis nesër me këto veprimtari
Nesër (e enjte) shënohet 22-vjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë do të ketë aktivitete të ndryshme të organizuara nga institucionet qendrore, lokale dhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Edhe Kuvendi i Kosovës nesër do të organizojë, me fillim nga ora 09:00, një seancë të veçantë, ka bërë me dije, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” të RTK-së, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi.
Ai ka treguar se me vendim të Qeverisë, Këshilli Organizativ ka punuar që nga dita që i është dhënë përgjegjësia për ta organizuar manifestimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Jemi takuar me rregull në Prishtinë. Kemi qenë në vizitë edhe në Prekaz, Skenderaj. Kemi bërë një koordinim jashtëzakonisht të mirë me të gjithë anëtarët e Këshillit Organizativ, në të cilin bëjnë pjesë Ministria e Mbrojtjes, Komuna e Skenderajt, Ministria e Kulturës, Rinisë, Sportit, Ministria e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe Inovacionit, Shoqata e Veteranëve dhe Policia e Kosovës, e cila do të përkujdeset për rendin dhe sigurinë gjatë manifestimit”, ka treguar zëvendëskryeministri Abazi, duke shtuar se është marrë vendim që më 5 mars ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.
Ndër aktivitetet e tjera që do të realizohen në ditën e nesërme zëvendëskryeministri Abazi ka thënë se janë edhe këto: në orën 09:00 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne, në orën 12:00 do të bëhet parakalimi i Ushtrisë brenda Kazermës “Adem Jashari”. Ndërkaq, më 6 mars do të bëhen vizita te Kompleksi “Adem Jashari”, pastaj në të gjitha komplekset përkujtimore në gjithë Kosovën. Ndërsa në orën 17.00 në Sallën e Kuqe në Prishtinë do të mbahet akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve. “Më 7 mars, në orën 12.00, do të bëjmë nderim në vendin e rënies së heronjve, posaçërisht fëmijëve dhe grave. Do të vëmë kurora me lule te varret e tyre. Ndërsa në mbrëmje është ‘Nata e Zjarreve’, të cilën e kemi organizuar në bashkëpunim me familjen Jashari.
Pas këtyre aktiviteteve, e kemi prioritet ta bëjmë mbrojtjen e objektit të shtëpisë së komandantit Adem Jashari, sepse është në gjendje të keqe”, ka thënë zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Haki Abazi.























