Kërkim-falja nga Serbia, parakusht për pajtim
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë në dialogun lidhur me iniciativën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë. Ai ka thënë se nisma për krijimin e një komisioni të tillë është prej iniciativave të para që ka ndërmarrë si president, dhe e konsideron të qëlluar.
Aty, ai foli edhe për mundësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi e cila tha se do të ndikonte në punën e këtij komisioni. Sipas Thaçit, një komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë do të mund të krijohej pas, ose paralelisht me marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Në këtë diskutim, Thaçi tha se nisma për krijimin e të vërtetës dhe pajtimit është prej iniciativave të para që ka marrë si president.
Ai tha se duhet punuar të gjithë së bashku pa dallim komuniteti, për një të vërtetë që do ta ndihmonte drejtësinë.
“Nisma është përballur që në fillim me sfida, në të cilat kryesore ka qenë pyetja nëse ka nevojë për këtë komision. Andaj, hulumtimi sot është dëshmia më e mirë kjo nismë ka qenë e qëlluar dhe e duhur, se vjen në momentin e duhur dhe me dinamikën dhe mesazhin e duhur, ndonëse kanë kaluar më tepër se dy dekada prej përfundimit të luftës në Kosovë. Nga rezultatet e hulumtimit del se qytetarët e Kosovës kanë nevojë të dinë për atë se çka ka ndodhur në luftë, dëshirojnë të respektohen të drejtat themelore që të dinë të vërtetën. Por edhe më të mirëseardhura janë rezultatet që tregojnë se për çfarë e dëshirojnë të vërtetën qytetarët e Kosovës. Rezulton që qytetarët besojnë që e vërteta do të ndërtojë urat e pajtimit, paqes dhe sh ikimit nga e ardhmja, e ardhmja paqësore dhe do të bëjë të mbyllet kapitulli i luftës, konfliktit dhe urrejtjes”, tha Thaçi.
Ai foli edhe për mundësinë e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi e cila tha se do të ndikonte në punën e këtij komisioni.
Sipas Thaçit, do të ishte normale që komisioni të krijohej pas, ose paralelisht me marrëveshjen Kosovë-Serbi.
“Kjo marrëveshje do të ndikojë edhe në punën e komisionit për të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Do të ishte pothuajse hap normal që pas një marrëveshje të tillë, apo paralelisht të themelohet edhe komisioni për të vërtetën dhe pajtimin. Të punohet në pajtim të brendshëm në Kosovë, pajtim me të gjitha komunitetet, që do të hapte një rrugëtim të sigurt për vendin tonë në ndër timin e demokracisë qytetare sipas standardeve perëndimore”, tha ai.
E ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett tha se e kanë mbështetur ekipin për Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin që nga fillimi.
Ai tha se vendet e tjera të dala nga lufta kanë përfituar nga komisionet e ngjashme, duke ofruar një lloj përmbyllje për familjet e viktimave dhe duke krijuar bazë të shëndoshë për pajtimin e ardhshëm ndëretinik.
“Puna e komisionit për të vërtetën dhe pajtimin është përgjegjësi e madhe sepse ka detyrim ndaj atyre që kanë humbur jetën, ndaj atyre që i përkujtojnë dhe ndaj brezave të palindur. Pajtimi nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm, por përkufizimi që unë e mendoj ka t ë bëjë me angazhim të sinqertë për të kaluarën për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. Ne e mbështesim punën e ekipit përgatitor të komisionit për të vërtetën dhe pajtimin, duke nënkuptuar qe ky ekip do të vazhdojë të veprojë me integritet dhe objektivitet, si dhe pa ndonjë agjendë politike. Për të qenë të suksesshëm, KVP duhet të përqendrohet në viktima dhe të jetë gjithëpërfshirëse. Rrëfimet e të gjithë viktimave, nga të gjitha komunitetet e Kosovës duhet të dëgjohen”, tha ambasadori amerikan.
E sipas ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, një komision i tillë do të mund të bëhet një mekanizëm i rëndësishëm për të vërtetuar fakte dhe për të sjellë të vërtetën më afër shoqërisë kosovare.
“Çdo gjë kalon përveç së kaluarës. Ky citat qëndron në hyrje të Muzeut Kombëtar të Afrikës Qendrore në Bruksel. Tregon që edhe pas një dekade nuk mund të harrohet e kaluara, në vend të kësaj paraqet nevojat për t’u ballafaquar me të kaluarën që të mund të ecim përpara në ndërtimin e një shoqërie paqësore. Me këtë rast, ne mirëpresim vendimin e juaj zoti president, për të lansuar një iniciativë për krijimin e një komisioni për të vërtetën dhe pajtimin në Kosovë. Sipas mendimit tonë një komision i tillë ka potencial për t’u bërë një mekanizëm i rëndësishëm për të vërtetuar fakte, për të sjellë të vërtetën për historinë më të re, më afër shoqërisë në Kosovë”, tha ai.
Në këtë tryezë u publikua edhe raporti i matjes së perceptimit publik për komisionin e ardhshëm për të vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.
Raporti nxjerr se shumë prej të ank etuara fillimisht nuk kishin dëgjuar për iniciativën rreth një komisioni të tillë.
Megjithatë, qytetarët janë shprehur se e vërteta për të kaluarën e dhunshme është e rëndësishme, dhe se faktet për të kaluarën janë të domosdoshme për të arritur pajtimin.
Sipas këtij raporti, të anketuarit janë pajtuar që zbulimi i së vërtetës është i domosdoshëm, dhe kërkimi i përgjegjësisë prej përgjegjësve përmes mjeteve ligjore.
Të anketuarit shqiptarë kanë deklaruar se është shumë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë të konsiderojnë pajtimin seriozisht, ndërkohë që si parakusht për pajtim e shohin kërkim faljen nga Serbia.
Në vitin 2017, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dha idenë për themelimin e një komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin për Kosovë, për krijimin e së cilit po punohet nga një ekip përgatitor.























