`Amerika” kjo shenjtëri që po helmohet

`Amerika” kjo shenjtëri që po helmohet

Ballsor Hoxha

Deri sot, kur edhe jemi përballë një pragu esencial të konfirmimit të vendit tonë, - Amerika – ka qenë e shenjtë për ne. Sot ne kudo dhe në çdo kohë, lehtë interpretojmë një sistem aq kompleks sa presidenti i Amerikës. Ka dy fenomene që burojnë në këtë sjellje dhe mentalitet të shoqërisë sonë: intoksinimi/djallëzia politike, qoftë edhe përballë asaj që ishte e shenjtë si Amerika në njërën anë; dhe në anën tjetër ankthi ynë përballë pragut esencial, dhe fenomeneve tjera krejtësisht të çoroditura si – ç’njohja e shtetësisë së Kosovës. 
Nëse sjellja politike e administratës së presidentit aktual amerikan Donald Trump është vënë në dilemë shumë herë, në rrafshin global dhe atë amerikan, kjo gjithashtu ka edhe historinë e veprimit të saj, e po ashtu edhe dinamikën përballë fenomeneve globale. Në historinë e saj, me gjithë kundërthëniet, ajo ka ardhur në mënyrë demokratike dhe është qeverisja më e lartë e një prej demokracive më të fuqishme në botë. Po ashtu edhe veprimet e saj janë përballë tragjedive ekstreme në botë vitet e fundit (posaçërisht ato religjioze), si dhe ndaj figurave politike si Vladimir Putin në Rusi, e edhe përballë krizave globale.
Nëse administrata e presidentit amerikan Donald Trump është dilemë, në të vërtetë, ajo është vetë dinamika globale e reagimit ndaj krizave globale. Është edhe mekanizëm mbrojtës e edhe reagim ndaj kërcënimit, jo vetëm brenda Amerikës, por edhe në rrafshin global. 
Ne, pavarësisht ku përkasim dhe çka jemi, qeverisemi nga ata që jemi. Por për të parë ata që jemi është shumë vështirë në kriza si viteve të fundit. E vërteta është krejtësisht e interpretueshme dhe me këtë edhe komplekse. Shumë shpesh ditëve të fundit në Kosovë, emri i presidentit amerikan është pjesë e debateve dhe e përdredhjeve të diskutimeve politike. Lehtë interpretohet sjellja e kësaj administrate, dhe lehtë influencohet nga perspektiva jonë.
Aq më shumë, sjellja jonë ndaj përfaqësuesve të kësaj administrate në lidhje direkte me dialogun e Kosovës me Serbinë, është e influencuar nga po këto dinamika globale dhe nga interpretimet edhe globale e edhe ato vendore. E vërteta është shumëfishuar dhe interpretuar në aq perspektiva sa ka edhe interesa politike dhe interesa të tjera.
Në të vërtetë, e vërteta e kosovarëve është e dezintegruar në sa ka burime politike dhe orientime politike në Kosovë, pikërisht përballë hapave të mëdhenj që presin në prag të këtyre ditëve. Paradoksalisht, derisa të gjithë ne presim në këtë prag, dhe pikërisht kjo na bën të njëjtë, ne shumëfishojmë perspektivat tona përballë këtij pragu.
Të qenit shoqëri me varësi ndaj tjetrit, gjë që të gjitha burimet politike e kanë deklaruar, krijon  edhe ankthin e vendimit. Pikërisht ky ankth e dezintegron fuqinë politike. Dhe është pikërisht kjo pafuqi politike, apo varësi politike e jona që ka krijuar guxim të tepruar, apo edhe ekstrem, në njërën anë, dhe në anën tjetër ka krijuar reagime krejtësisht të paqëndrueshme.
Aq më shumë ky dezintegrim i fuqisë politike përballë këtij pragu esencial të vendit tonë, thellon helmimin e diskutimeve dhe me këtë edhe ankthin e tradhtisë apo edhe të përkuljes.
Nën këtë ankth ne vazhdojmë thellimin e dezintegrimit të fuqisë sonë politike duke krijuar interpretime të paqena apo të perspektivave që janë në kundërshtim me aspiratat tona. Është krejtësisht evidente se ankthi ynë kolektiv është ankth për të konfirmuar veten, për të konfirmuar veten derisa po ndodh një gjë krejtësisht e çoroditur si ç’njohja e shtetit të Kosovës. Për të konfirmuar veten derisa jemi nën presion edhe varësie e edhe të  kushtëzuar. Por, paradoksalisht, siç edhe ndodh në shoqëri si e jona, ne i kthehemi “tradhtarit” brenda nesh, në vend se të ndërtojmë një fuqi vepruese dhe vendimmarrëse. 
Interpretimi aq i lehtë i sjelljes politike të administratës së presidentit amerikan Donald Trump, është jo vetëm guximi narcisoid i viktimës, por aq më shumë shprehje e dezintegrimit dhe me këtë edhe intoksinimit të sjelljes sonë politike.