Analistët: Deputetët ta shqyrtojnë me urgjencë projektligjin për buxhet
Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës duhet të jetë e fokusuar në axhendën legjislative. Deputetët duhet ta shqyrtojnë me urgjencë projektligjin për buxhet , thonë analistët. Ndërkaq shoqëria civile mirëpret procesin e vettingut, si nismë fillestare për hartimin apo edhe amandamentimin e ligjeve nga fusha e drejtësisë.
Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, arsimi dhe shkenca janë radhitur si prioritete në vendimet që pritet të marr qeveria në përmirësimin e situatës. Duket se sundimi i ligjit, përkatësisht ligjet që kanë të bëjnë me këtë fushë do të kenë prioritet. Ditë më parë, është formuar komisioni i cili do t’i paraqes ministrisë së drejtësisë , bazën apo skeletin mbi të cilën do të hartohet projektligji për vettingun. Shoqëria civile e përfshirë në këtë komision e ka mirëpritur këtë nismë. Të paktën kështu thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi .
“ Përderisa IKD e mbështet procesin e vetingut, është fanatike e asaj se cdo gjë që bëhet duhet të bëhet në radhë të parë, në bazë të procedurave, në bazë të kritereve qarta të cilat e sigurojnë sigurinë juridike për gjyqtarë, prokurorë, policë apo kushdo qoftë që është bërë pjesë e procesit të vettingut” , tha Ehat Miftari.
Për analistët është e rëndësishme që Kuvendi të zhvillojë debat kur bëhet fjalë për ligje të cilat janë të rëndësishme për jetën e qytetarit. Analisti Imer Mushkolaj thotë se askush nuk e ndal Kuvendit që të qojë përpara axhendën legjislative. Ai e sheh si urgjente shqyrtimin e projektligjit për buxhetin.
“Kuvendin nuk e ndal askush që ta qoj tutje axhendën legjislative dhe të shoh se çfarë mund të bëjë me miratimin e ligjeve të cilat në fakt janë urgjente, duke filluar prej ligjit për buxhetin e duke vazhduar me ligjet tjera. Deri tash ajo çfarë kemi parë në Kuvend ka qenë me tepër, fyerje e etiketime por nuk kemi parë substancë”, tha Imer Mushkolaj.
Mushkolaj thotë se deri më tani, ajo çfarë kemi parë në seancat e Kuvendit është humbje kohe në gjëra totalisht të pa-rëndësishme për jetën e qytetarit.























