8 marsi i grave me përkatësi

8 marsi i grave me përkatësi

Gratë i përkasin popullit dhe këtë popullsi e përbëjnë gjysma e tyre. Gratë i përkasin shtetit dhe këto gra duhet të marrin përgjegjësi, të ndalen së viktimizuari. Madje, mund të them se mu për shkak të grave ekziston diskriminimi gjinor dhe ndërgjinor.

Përderisa po e shkruaja këtë shkrim po bisedoja me një mikun tim dhe ai më tha: “Ju gratë na keni bërë të tillë”?!

Pra, nënat i edukojnë djemtë e tyre. Nënat i edukojnë vajzat e tyre. Por si?

Kur kthehesh në kohë, në vitet ‘50-të, gjysma e qytetarëve të Kosovës ishin analfabetë që s’dinin as shkrim e lexim. Tash, pas 70 vjetësh gjysma janë analfabetë funksionalë. Gra e burra që lexojnë, por nuk kuptojnë.

Pra, kemi gra e burra që s’i kuptojnë dot rolet e tyre, të drejtat e tyre ... e, pse janë në këtë botë?

Shoqëria kosovare ka nevojë për të promovuar drejtësinë shoqërore, e cila përfshin përpjekje për të trajtuar çështje të tilla, si: varfëria, përjashtimi, barazia gjinore, papunësia, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja shoqërore. OKB-ja, 20 shkurtin e ka shpall si ditë kushtuar Drejtësisë Sociale. Tema e vitit të kaluar ishte “Nëse Doni Paqe dhe Zhvillim, Punoni për Drejtësi Sociale”, ndërsa për vitin 2020 është “Mbyllja e Hendekut të Pabarazive për të Arritur Drejtësinë Sociale”.

Nënat-gratë duket që nuk e kanë të qartë se jetojnë në pabarazi sociale. Kur gruaja - nëna jeton nën këtë hendek gjasat janë që ajo të vazhdojë ta edukojë brezin e ri me mendësinë e saj, duke vazhduar padrejtësia sociale.

Në shoqërinë tonë ekziston një numër i konsiderueshëm grash që vazhdojnë të thonë se “një motër që merr hisen - s’ka çka lypë më të vëllai”! Po pse këto gra nuk e bëjnë pyetjen ndryshe: “Vëllai që ia mohon pasurinë motrës - nuk është vëlla”!

Njeriu duhet ta ketë një përkatësi, edhe në rastin e pasurisë së trashëguar apo të krijuar së bashku. Dhe nëse ti si grua nuk trashëgon pasuri nga familja ku ke lindur; nëse ti si grua ndërron shtëpinë, vendbanimin, mbiemrin e shumë gjëra të tjera, ndërsa as tek bashkëshorti yt s’të takon asgjë. Pra, ti s’je asgjë. Ti je një njeri i padukshëm. Pa rrënjë dhe pa përkatësi. Kur nuk ke shtëpi, nuk ke as përkatësi, as dashuri, as shtet e as atdhe. Je fantazmë.

A janë gratë fantazma?

 Ky lloj i grave tërë kohës ankohen se si nuk e duan as atje, e as këtu. Pra, në kuptimin “as te baba, e as te burri”. Në të vërtet ti zonjë nuk e do veten, sepse ti nuk dëshiron t’ia dish se trashëgimia është e rregulluar me Ligjin për Trashëgiminë. Pra, gratë nuk kanë nevojë të vetëdiskriminohen, të vetëanatemohen. Paragrafi 1 i nenit 3 të Ligjit për Trashëgiminë, përcakton se: “Të gjithë personat fizikë në kushte të njëjta janë të barabartë në trashëgimi”, duke definuar qartësisht se ndarja e trashëgimisë mes anëtarëve të familjes është e barabartë, pa përjashtuar trashëgimtarë në baza gjinore.

Për ta theksuar një gjendje krahasimtare të grave në Ballkan sipas statistikave: 16 për qind e grave në Kosovë kanë prona të tyre; 17 për qind në Maqedoni; 25 për qind e grave në Bosnje e Hercegovinë; 27 për qind në Malin e Zi; 29  për qind në Shqipëri dhe 49 për qind e grave në Serbi kanë prona të tyre.

Pra, nëse gjysma e popullsisë nuk e ka të qartë rolin dhe vendin e vet, për këtë është hartuar Kushtetuta e Kosovës, e cila ka përcaktuar si të barabartë rolin e grave dhe burrave në shoqëri dhe e ka parandaluar diskriminimin duke e sanksionuar këtë me nene të veçanta, apo me përvetësimin e konventave ndërkombëtare të përmendura në të.

Gratë janë po aq përgjegjëse sa burrat për Kosovën. Gratë janë po aq përgjegjëse për të ardhmen e fëmijëve. Gratë janë po aq përgjegjëse për edukimin e vajzave dhe djemve. Gra-nëna-vajza, ju jeni gjysma e zemrës së Kosovës. Gjysma e shpirtit. Gjysma e shtetndërtimit. Gjysma e dështimit. Gjysma e suksesit.

A do ta pranonit Kosovën përgjysmë?

Autor: Behare Bajraktari, gazetare në RTK - Radio1