Drita mposht Prishtinën në kryederbi, fiton edhe Llapi
BKT
Sport

Drita mposht Prishtinën në kryederbi, fiton edhe Llapi

Drita ka triumfuar në kryederbin e kësaj fundjave kundër Prishtinës, me rezultat 2-1, në kuadër të javës së 22-të në IPKO Superliga e Kosovës në futboll.

Dueli mes dy rivalëve të vjetër në futbollin tonë, është zhvilluar në Gjilan, në një terren të vështirë për shkak të reshjeve të shiut.

Gjilanasit të përkrahur fuqishëm nga tifozët e tyre, arkëtuan tri pikë tejet të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.

Sulmuesi i Dritës, Kastriot Rexha ndëshkoi ish-skuadrën e tij pas vetëm tetë minutave lojë, duke kaluar skuadrën nikoqire në epërsi prej 1-0, rezultat më të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, erdhën edhe dy gola. Fillimisht Oto John në minutën e 75-të, barazoi shifrat në 1-1 pas një ‘kiksi’ të portierit Maloku. Mirëpo, vetëm tre minuta më vonë sërish ndezët stadiumi kur Astrit Fazliu më një super-gol realizon golin e dytë dhe të fitores për Dritën, e cila tani rikthehet në pozitën e dytë me 43 pikë, vetëm një me pak se lideri Ballkani, derisa Prishtina renditet e katërta me 41 pikë të tubuara.

Fitore tejet të rëndësishme ka arritur edhe Llapi që para tifozëve të tyre, mundi Gjilanin, me rezultat 2-1. Ramadani (2’) dhe Ymeraj (35’), shënuan nga një gol për fitoren e llapjanëve, kurse, golin e vetëm për gjilanasit e realizoi Nikac (70’).

Pas kësaj fitore, Llapi ngjitët në pozitën e pestë me 34 pikë, derisa Gjilani është e treta me 41 pikë të tubuara.