Bogujevci kërkon që 14 prilli të jetë Dita e Viktimave të Dhunës seksuale
BKT
Lajme

Bogujevci kërkon që 14 prilli të jetë Dita e Viktimave të Dhunës seksuale

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka kërkuar që data 14 prill, të jetë dita e viktimave të dhunës seksuale. Kjo datë është data kur është përdhunuar Vasfije Krasniqi, gruaja e parë e cila ka folur publikisht si viktimë e dhunës seksuale.

Në seancën e veçantë të Kuvendit, për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo tha se dalja publike e Vasfije Krasniqit ishte moment i rëndësishëm për Kosovën.

“Sot në kuvend po flasim për përdhunimet që janë bërë nga forcat serbe. Nuk u bëmë zëri i tyrë për këto vite. Dalja publike e Vasfijes ishte një moment i rëndësishëm për vendin tonë. Filluan të dalin në pah edhe mospuna e institucioneve për nevojat e tyre por edhe mospërkrahja e familjes. Njohja e vuajtjeve të tyre është drejtësi. Të njëjtën kohë e kemi parë sesa pak është bërë në dënimin e atyre që kanë kryer këto vepra. Kam një kërkesë që data 14 prill kur është përdhunuar Vasfije Krasniqi, të jetë datë që i kujtojmë të gjitha viktimat e përdhunuara të luftës. Këtë gjë do ta shtojmë në mbledhjen e radhës së kryesisë dhe do të procedohet në kuvend”, tha ajo, transmeton E.O.

Në emër të LDK-së foli deputetja Lirije Kajtazi, ka thënë se përdhunimi ka qenë praktikë e Serbisë. Ajo tha se edhe pas 22 vjetëve nuk është dënuar për përdhunimet.

“Kjo betejë nuk është e lehtë por po del të jetë e vështire ndonëse kanë kaluar 22 vite. Sepse asnjë prej urdhërdhënësve nuk ka dhënë përgjegjësi e as ata që kanë kryer këto krime. Se dhunimi ka qenë praktikë e shtetit serb tregon një raport ku thuhet se dhunimi ka qenë praktike lufte për t’i poshtëruar dhe si mjet për ta ndryshuar demografinë për hesape politike. E pa dëshminë e Vasfijes, raporti i OKB-së tregon se në luftën e Bosnjës janë dhunuar mijëra gra e burra”, tha ajo.

Ndërkaq Valdete Idrizi deputete e PDK-së, tha se për gratë duhet punuar çdo ditë e jo vetëm për 8 mars. Ajo ka kërkuar nga qeveria që të sigurojë buxhet për komisionin e verifikimit të personave të dhunës seksuale.

“Sot është 9 marsi ditë e mirë pëe të punuar për të drejtat e gruas, e jo vetëm për 8 mars. Duhet të punojmë për gjithë ata që ende janë të zhdukur. Histori sikur e Vasfijës dhe shumë grave të tjera akoma mbeten të heshtura sepse ne si shoqëri nuk i kemi përkrahur ato. Pasojat e atyre krimeve ende vazhdojnë të jenë prezent. Këto gra shumica ende nuk e kanë gjetur guximin ta tregojnë të vërtëtën sepse ne i kemi quajtur histori e turpit, ani pse ne e kemi thyer tabunë, kemi ende punë për ta thyer stigmën për ta luftuar këtë kategori. Ne si institucione  duhet të sigurojmë buxhet për komisionin e verifikimit të personave të dhunës seksuale. Andaj në emër te PDK e ftoj qeverinë që t’i sigurojë buxhetin për këtë kategori sepse nuk kemi kohë për të humbur”, tha ajo.


MË SHUME NGA Lajme