Prishtina mirëpret filmin që dërgoi Maqedoninë Veriore në “Oscars”

Prishtina mirëpret filmin që dërgoi Maqedoninë Veriore në “Oscars”

Publiku prishtinas do ta ketë mundësinë ta shikojë filmin, i cili ia siguroi Maqedonisë Veriore nominimin e parë në “Oscars”. Filmi “Honeyland”, ose në shqip “Toka e mjaltës”, do të shfaqet për herë të parë në Kosovë. Është kinemaja “Armata” ajo që do ta ekranizojë filmin “Honeyland”, të martën, më 10 mars, në orën 20:00.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e kësaj kinemaje hyrja për ta parë këtë film do të kushtojë 2 euro. Filmi i realizuar nga regjisorët Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska zgjat 85 minuta. Filmi është në gjuhën turke, kurse në kinemanë “Armata” do të jepet me titra shqip dhe anglisht.

Filmi “Honeyland” ishte i nominuar për “Filmin më të Mirë të Huaj” si kandidat nga Maqedonia e Veriut, si dhe për “Filmin më të Mirë të Dokumentar” në garën për “Oscar 2020”, duke u bërë dokumentari i parë në histori, i cili pranoi nominime në të dyja kategoritë.

Thellë brenda një rajoni të izoluar malor të Ballkanit jeton Hatidze Muratova dhe nëna e saj e sëmurë, në një fshat pa rrugë, pa rrymë dhe pa ujë të pijshëm. Ajo është e fundit mes shumë kultivuesve të bletëve të egra, që jeton prej mjaltës së paktë të cilën e nxjerr dhe shet në qytetin më të afërt - gati katër orë ecje prej vendbanimit të saj. Ekzistenca e thjeshtë e Hatidzes trazohet me ardhjen e familjes shëtitëse, me makinat e tyre të zhurmshme, shtatë fëmijë të rrëmujshëm dhe kope bagëtish. Hatidze me optimizëm mirëpret premtimin për ndryshim, por nuk shkon shumë kohë deri në fillimin e konfliktit, i cili shpërfaq tensionin fundamental mes natyrës dhe njerëzimit, harmonisë dhe kaosit, hulumtimit dhe qëndrueshmërisë.

Filmi debutues, nga dokumentuesit Ljubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska, “Honeyland” është punuar si një ep i ekranizuar, por duke ndërtuar bashkëveprim intim mes filmbërësve dhe subjektit. Me ndjesi të befasishëm të humorit ky është portret i vështirë, por i butë i balancës delikate mes njerëzimit dhe natyrës, një segment i jetës e cila është në zhdukje dhe testament i paharrueshëm i qëndrueshmërisë së kësaj gruaje të jashtëzakonshme.

“Honeyland” ka fituar shpërblime të shumta nëpër festivale evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara. Ishte filmi i vetëm që fitoi tri shpërblime të ndryshme në Festivalin e Filmit në Sundance 2019.

Rikujtojmë se Kosova ka arritur nominimin e saj të parë në “Oscars” në vitin 2016 me filmin e metrazhit të shkurtër “Shok”. Ky film me regji të Jamie Donoughue, i cili është i bazuar në ngjarje të vërtetë, duke u bazuar në miqësinë e dy shokëve në kohën e luftës së fundit në Kosovë, ka bërë historinë duke u bërë filmi i parë nga Kosova që është nominuar për “Oscars” e që garon në kategorinë “Filmi më i Mirë i Shkurtër”.

Një nga ngjarjet e vërteta në të cilat bazohet filmi është ajo ku Petriti (Lum Veseli) shet letra të cigareve për ushtarët serbë, pastaj është ngjarja e vërtetë e aktorit Eshref Durmishi, që në film është i paraqitur në skenën kur ushtarët serbë e zbresin Okin (Andi Bajgorën) nga autobusi dhe i thonë se nuk duhet të mbajë libra shqip dhe duhet të ketë libra serbë herën tjetër, ndërsa skena tjetër me të cilën mbyllet filmi është një ngjarje e një miku të regjisorit Jamie Donoughue, kur ushtria serbe i larguan nga shtëpia dhe u thonë se nëse shikoni prapa do t’ju vrasim dhe një shok i tij shikoi mbrapa dhe e vranë atë, në film vritet Oki.

Lum Veseli, Andi Bajgora, Eshref Durmishi, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Melihate Qena, Aurita Agushi, Armond Morina, Sunaj Raca, Eni Cani, Luan Kryeziu, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi e Besnik Krapi janë aktorët që luajnë në filmin “Shok”, xhirimet e të cilit janë bërë në Mitrovicë.